Kryeministri Edi Rama është një ndër 23 emrat drejtues shtetesh në botë që ka firmosur apelin për një marrëveshje postpandemi.
Në Traktatin e firmosur nga 23 liderë botërore (përfshi Macron dhe Merkel) thuhet se askush nuk fiton dot i vetëm luftën kundër virusit nëse nuk luftojmë të bashkuar.
“Sot, ushqejmë të njëjtën shpresë, që, ndërkohë që luftojmë së bashku për ta kaluar pandeminë, të ndërtojmë një arkitekturë më të fortë shëndetësore ndërkombëtare, që do të mbrojë brezat që vijnë. Pandemi të reja do të vijnë e urgjenca të tjera të mëdha shëndetësore do të shfaqen, por asnjë qeveri apo agjenci shumëpalëshe nuk do të mund t’i përballojë e vetme këto kërcënime. Çështja nuk është a do të ndodhë, por kur. Të gjithë bashkë duhet të jemi më të përgatitur për të parashikuar, parandaluar, zbuluar, vlerësuar e për të reaguar efektivisht ndaj pandemive në mënyrë tejet të bashkërenduar…”, thuhet në letër.
“Për ta arritur këtë, ne besojmë se vendet duhet të punojnë së bashku, për të shkuar drejt një pakti të ri ndërkombëtar për gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive”, vijon letra.
Objektivi kryesor i traktatit në fjalë do të jetë krijimi i një qasjeje mbarëqeveritare e mbarëshoqërore, që forcon kapacitetet e qëndresën kombëtare, rajonale e globale ndaj pandemive të ardhshme.
“Që kjo të arrihet, duhet një rritje e konsiderueshme e bashkëpunimit ndërkombëtar për t’u përmirësuar, për shembull, në raport me sistemet e paralajmërimit, shkëmbimin e të dhënave, kërkimin shkencor, prodhimin dhe shpërndarjen në shkallë lokale, rajonale e globale të mjeteve në funksion të trajtimit mjekësor e shëndetit publik, si vaksinat, barnat, pajisjet diagnostikuese e të mbrojtjes personale”, thuhet në letër.
Ky traktat, sipas firmëtarëve, duhet të na çojë drejt një përgjegjshmërie të ndërsjellë e bashkëpërgjegjësie, transparence e bashkëpunimi më të madh në kuadrin e sistemit ndërkombëtar me rregullat dhe normat e tij.
“Ne jemi të angazhuar të sigurojmë qasje universale e të barabartë ndaj vaksinave, barnave e mjeteve diagnostikuese të sigurta, efikase e me kosto të përballueshme për këtë pandemi e të tjerat në të ardhmen. Imunizimi është një e mirë publike globale dhe ne duhet të jemi të aftë të zhvillojmë, të prodhojmë e shpërndajmë vaksina sa më shpejt të jetë e mundur.
Për ta arritur këtë, do të punojmë me krerët e shteteve e qeverive në mbarë globin dhe me të gjithë aktorët, përfshi shoqërinë civile dhe sektorin privat. Ne kemi bindjen se është përgjegjësia jonë, si drejtues të kombeve e institucioneve ndërkombëtare, të sigurohemi që bota të nxjerrë mësime nga pandemia COVID-19”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje