Që prej të martës, 30 mars, banorët e shtetit të Nju Jorkut në SHBA, të cilët janë mbi 30 vjeç, do të jenë në gjendje të përfitojnë nga vaksinat anti-Covid dhe nga 6 prilli, do të jetë radha e atyre mbi 16 vjeç.
Këtë reagim të fortë kundër pandemisë, e ka njoftuar guvernatori i “Big Apple”, Andrew Cuomo: “Sot ne bëjmë një hap monumental në luftën për të mposhtur Covid”.
Deri më tani, vetëm disa kategori njerëzish lejoheshin të vaksinoheshin.
Këto përfshinin qytetarë me punë specifike, të tilla si “reaguesit e parë” (punonjësit të angazhuar në situata emergjente), punonjës shëndetësorë, policë, zjarrfikës, edukatoret e çerdheve e kopshteve, mësuesit në shkolla fillore dhe të mesme, punonjës të transportit publik, si dhe punonjës të restoranteve, dyqaneve me pakicë dhe fatorinët.
Për më tepër, vaksina ka qenë në dispozicion për qytetarët që vuanin nga sëmundje specifike të rrezikut të Covidit, të tillëa si ata mbipeshë, diabetikët, pacientët me kancer, njerëz me sëmundje të mushkërive, të sëmurët mendor, pacientë me Alzheimer, por edhe gratë shtatzëna.
Vetëm në shtetin e Nju Jorkut, më shumë se 9 milionë doza totale janë administruar në të gjitha pikat e vaksinimit, por Cuomo siguron, “ne do të punojmë për ta bërë vaksinën të arritshme për të gjitha komunitetet dhe për të siguruar barazi, veçanërisht për komunitetet me ngjyrë që janë lënë shumë shpesh mbrapa”.
“Ne mund të shohim dritën në fund të tunelit, por derisa të arrijmë atje, – paralajmëron guvernatori demokrat, – është më e rëndësishme se kurrë që çdo njujorkez të mbajë një maskë, distancë sociale dhe të ndjekë të gjitha udhëzimet e sigurisë”.
Ajo që duket e sigurt, është se gara amerikane e vaksinimit po përparon në mënyrë të pandërprerë.
Në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të dhënave nga CDC – Instituti Federal për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve – janë administruar më shumë se 100 milionë doza të vaksinës anti-Covid-19: prandaj administrata e Joe Biden ka arritur të hedhë hapa të shpejtë drejt objektivit prej 100 milionë dozash në 100 ditët e para të qeverisjes deri më 29 prill.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje