Kuvendi qorton Ministrinë e Drejtësisë për qëndrim refuzues dhe shpërfillës ndaj kërkesave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për ndërhyrje në ligjin e funksionimit të këtij institucioni, në mënyrë që të lehtësohen kriteret për pranimin e inspektorëve të rinj.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në fund të vitit të kaluar, ku përmes një shkrese propozonte ndërhyrjen në ligj për të ulur nga 13 në 7 vite vjetërsinë e punës për kandidatët për inspektorë dhe barazimin e pagës mes inspektorëve magjistratë dhe atyre jomagjistratë.
Metani tha gjatë raportimit në Kuvend javën e kaluar se nga Ministria e Drejtësisë ka marrë mbrapsht heshtjen dhe përmes një shkrese të ngjashme i është drejtuar Kuvendit që të ndërhyjë.
Deputeti socialist, Adnor Shameti i dha të drejtë kreut të ILD-së dhe gjatë relatimit të punës së këtij institucioni për 2020, përçoi tërthorazi qortimin në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë.
“ILD i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë disa amendime që kanë dalë të domosdoshme funksionimin e zyrës dhe kushtësojnë plotësimin e stafit, si ulja e vjetërsisë për kandidatët inspektorë magjistratë nga 13 të bëhet 7, sepse nuk ka pasur aplikim. Është krejt normale kjo qasje dhe kjo kërkesë që bëhet për ndryshimin në ligj”, thuhet në raportin e relatimit të deputetit Shameti.
Shameti e cilëson si të pashpjegueshëm këtë qëndrim të Ministrisë së Drejtësisë.
“Nuk gjej shpjegim institucional në refuzimin e Ministrisë së drejtësisë. Refuzimi dhe injorimi nuk u shërben parimeve mbi të cilat besuam kur votuam drejtësinë e re”, thotë ai.
Vërejtje të Kuvendit u çuan edhe në drejtim të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të atij të Prokurorisë, që sipas deputetit socialist, Adnor Shameti kanë zvarritur pa arsye procedimet penale të depozituara nga ILD. Ai madje foli për dy standarde në lidhje me rastin e ish-gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, e arrestuar nga SPAK për lirimin e të fortëve.
“Në KLP është dosja e prokurorit që për ILD është bërë për shkelje të ngjashme. Nuk ka asnjë justifikim ligjor vonesa e KLP. Sjellja refuzuese e KLGj dhe KLP sjell demotivim të inspektorëve të ILD për të ushtruar me idealizëm detyrën e tyre”, tha ai.
Shameti iu referua rastit të prokurorit të Krujës, Bujar Memia, i paditur nga ILD në Këshillin e Lartë të Prokurorisë se nuk ka vepruar për të ndaluar ish-gjyqtaren Hoxha që të lironte Hekuran Billën.
“Pasiviteti dhe mosveprimi i prokurorit për të kontrolluar ligjshmërinë e kësaj vendimmarrje ndikoi në uljen e besimit publik te sistemi gjyqësor dhe nxiti hakmarrjen ndaj të dënuarit”, tha ILD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje