Ne rrjet

Pak doza dhe shumë sekrete, pse Rusia importon vaksinën që ka prodhuar vetë

Rusia ofron vaksinën anti-Covid “Sputnik V” për të gjithë botën dhe deri më tani e ka eksportuar atë në disa vende, nga Venezuela në San Marino.

Një fushatë e mirë-orkestruar propagandistike politike, argumentojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa kritikë evropianë të Kremlinit, duke pasur parasysh që në shtëpinë e tyre, njerëzit që kanë marrë dozat e para, janë ende shumë pak dhe gjithashtu duke pasur parasysh, që për të përmbushur nevojat e saj, Moska është e detyruar të importojë flakonë nga jashtë.

Pikërisht kështu. “Sputnik” fluturon për në La Paz dhe i ofrohet Bashkimit Evropian. Por më pas, dozat mbërrijnë në Moskë, për shembull, nga Koreja e Jugut: “Vaksinat janë Sputnik V të zhvilluara në Rusi dhe të prodhuara nga kompania farmaceutike koreane, “Hankook Korus Pharm”.

Doza të tjera mund të vijnë nga India, me të cilat Rusia ka arritur marrëveshje të rëndësishme prodhimi.

Edhe ato të premtuara për dhjetëra vende rreth globit, pothuajse me siguri do të vendosen në shishka në fabrikat e huaja.

Disa ditë më parë, fondi rus që merret me tregtimin e tyre, premtoi më shumë se 310 milionë doza. Në të njëjtën kohë, marrëveshjet e prodhimit u bënë me disa vende, përfshirë disa evropiane: Italinë, Spanjën, Francën, Gjermaninë.

Prodhuesi më i madh në botë, sigurisht që do të jetë India, ku janë nënshkruar marrëveshje me “Virchow Biotech” (200 milionë doza), “Stelis Biopharma” (200 milionë) dhe “Gland Pharma” (252 milionë).

Një total prej 150 milionë dozash, do të prodhohen nga Koreja e Jugut dhe 63 milionë do të vijnë nga “Shenzhen Yuanxing Gene-tech Co”.

Një nga problemet më të mëdha të “Sputnik”, është mungesa e një drite jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), e cila ka filluar procesin e kontrollit dhe rishikimit.

Por kjo nuk është pyetja e vetme dhe shqetësimet e shprehura edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duken më se të justifikuara: “Ne pyesim veten, pse Rusia po ofron teorikisht miliona doza, ndërsa nuk po bën progres të mjaftueshëm në vaksinimin e popullsisë së saj”.

Në të vërtetë, në shtëpi, gjërat vazhdojnë të ecin ngadalë, megjithë njoftimet e përsëritura triumfaliste nga autoritetet.

Vladimir Putin, i cili u imunizua vetëm disa ditë më parë, tha se 4.3 milionë njerëz kanë marrë të dyja dozat (6.3 kur marrim parasysh vetëm injeksionin e parë).

Numra shumë të ulët, duke pasur parasysh se popullsia ruse është 146 milionë dhe të rriturit (të vaksinueshëm) janë 110 milionë.

Planet janë që të përfshihen 68 milionë njerëz deri në korrik ose gusht. Por mbase edhe më herët, “nëse prodhimi rritet dhe fushata vazhdon”, tha zëvendës-kryeministrja, Tatiana Golokova. Por me ritmet aktuale, do të jetë shumë e vështirë.

Sipas kryeministri italian, Mario Draghi, Komisioni Evropian ka konstatuar, se më së shumti, kompanitë e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, mund të prodhojnë 55 milionë doza “Sputnik”. Shumë pak.

Në Rusi, njerëzit nuk besojnë shumë dhe kjo është verifikuar gjithashtu në sondazhe të pavarura: pothuajse 60%  e të anketuarve, thanë se nuk kishin ndërmend të përdorin vaksinën.

Ndër të tjera, vendi është totalisht “i hapur” (gjithçka funksionon, vetëm me maska ​​në transport dhe në dyqane) dhe njerëzit nuk kanë ndjenjën e rrezikut, pavarësisht të dhënave jo shumë të sigurta.

Pothuajse nëntë mijë raste raportohen në ditë, me 300 vdekje dhe gjithsej, katër milionë e gjysmë të infektuar, me mbi dyqind mijë vdekje në total, janë regjistruar që nga nisja e pandemisë.

Të gjitha të dhënat në lidhje me prodhimin, shpërndarjen, eksportet, etj, duket se mbulohen nga konfidencialiteti më i rreptë, për të mos përmendur një sekret të vërtetë shtetëror.

Sipas asaj që gazeta “New York Times” ka rindërtuar, “Sputnik” prodhohet në shtatë kompani private që veprojnë nën licencë.

Por ata kanë pak stimul për të rritur punën e tyre, pasi paguhen shumë pak (madje edhe nën kosto, sipas një burimi).

Pastaj, kanë edhe probleme serioze teknologjike. “Për fat të keq, Rusia nuk prodhon aspak makineri bioteknologjike dhe kështu duhet të presim që pjesët të vijnë nga jashtë”, tha një konsulent nga kompanitë private të farmaceutikës.

Dhe kjo, përtej efekteve propagandistike të marrëveshjeve, është ndoshta një nga arsyet pse fondi rus po shtyn kaq shumë për të arritur marrëveshje prodhimi jashtë vendit.

Atje, kompanitë kanë njohuri dhe mekanizma për ta çuar me të vërtetë “Sputnik”-un në orbitë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë