Sport

Amerika ndryshon linjën, lejon protestat e sportistëve në garat për në Olimpiadë

Ndryshim i fortë në linjën-guidë për kualifikueset për në Olimpiadën e Tokios. Komiteti Olimpik Amerikan ka vendosur tashmë të lejojë manifestimet në formë proteste në pod, apo para garave zyrtare.

Ishte 16 tetor 1968, kur Tom Smith dhe Xhon Karlos ngritën lart dorën e mbledhur grusht gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar të Lojërave Olimpikë në Meksikë. Ai gjest u bë një nga imazhet simbol të protestës për të drejtat civile të njerëzve me ngjyrë. Smith shpjegoi më pas se gjesti ishte në përgjithësi për të drejtat e njeriut, jo vetëm për ata me ngjyrë.

Por ai gjest atij dhe shokut të skuadrës u kushtoi përjashtimin nga fshati olimpik. Tashmë amerikanët kanë ndryshuar krejtësisht linjë. Komiteti Olimpik Amerikan, që certifikon linjat-guida për kualifikueset për në “Tokio 2021”, ka dhënë miratimin që sportistët të protestojnë me grushtin lart, apo të ulen në gjunjë si Kaepernik gjatë himnit kombëtar, apo para garave për të treguar se janë në favor të drejtësisë sociale dhe raciale.

Protesta e Smith dhe Karlos në vitin 1968. Gazeta Si, 31 mars 2021

Mund të mbahet po ashtu një kapele ose një maskë me fraza si “Black Lives Matter”, “Trans Lives Matter”, apo dhe fjalë si “barazi” ose “drejtësi”.
Është një revolucion po të kemi parasysh rregullat e forta, që ndalojnë çdo lloj proteste nga sportistët dhe do të jetë në fuqi vetëm për këto kualifikuese olimpike.

Vendimi vjen pas valës së protestave që përfshinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin e kaluar, pas vdekjes së Xhorxh Floid. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vazhdon të ndalojë çdo protestë apo manifestim politik nga sportistët në Olimpiada. Në janar CIO ritheksoi se ndalohen protestat në pod dhe në fushë, ndalohen edhe mesazhet politike, gjestet me duar apo dhe gjunjëzimi.

Në Lojërat Panamerikane 2019, Guen Berri bëri gjestin e grushtit, kurse Rejs Imboden u ul në gjunjë. Që të dy ishin fitues medaljesh dhe Komitetimi Olimpik Amerikan i paralajmëroi se do të ndëshkohen në rast përsëritjeje. Por tani, pas rekomandimeve të Këshillit të organizmit për drejtësi raciale dhe sociale, ka ndryshuar linja. Ndalohen ndërkohë gjestet që nxisin urrejtjen dhe propagandën raciale, kërcënimet dhe diskriminimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë