Partia Socialiste nuk është dakord me vendimin e Ilirjan Celibashit për të miratuar një fletë votimi me emrat e kandidatëve në të. Për këtë arsye, socialistët e kanë ankimuar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve vendimin e marrë pasditen e së enjtes nga Komisioneri Zgjedhor.
PS i kërkon KAS-it që të ndryshojë modelin e fletës së votimit, duke rrëzuar variantin me emra dhe duke miratuar variantin me numra të saj, sipas kërkesës së bërë edhe më herë nga kjo forcë politike.
Ankimimi i PS-së zvarrit edhe më tej vendimin final për modelin e fletës së votimit, që për disa ditë u mbajt peng deri në sqarimin e numrit të kandidatëve në listë për Partinë Demokratike, çështje që përfundoi në Kolegjin Zgjedhor.
Komisioneri Celibashi vendosi pasditen e së enjtes që emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit të shënohen në fletën e votimit. Ai mblodhi këtë të enjte partitë politike kryesore garuese në zgjedhjet e 25 prillit për të marrë mendimin e tyre para se të miratojë modelin e fletës së votimit.
Socialistët i propozuan Komisionerit që të miratojë modelin e fletës, ku kandidatët janë me numra dhe jo me emra. Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji e argumentoi këtë kërkesë me bindjen se ky model flete është më i thjeshtë për qytetarët dhe për vetë administratën zgjedhore.
Ai kundërshtoi fletën e votimit me emra, pasi tha se ajo do të ndikojë negativisht në procesin e numërimit të votave dhe për më tepër shton mundësitë e abuzimit në këtë proces, duke u pamundësuar partive të vogla që janë të përfaqësuara me vëzhgues në komisionet e numërimit që të mbrojnë votën e tyre.
PD nga ana tjetër tha se modeli me numra nuk përputhet me frymën e Kodit Zgjedhor dhe me hapjen e listave. Ivi Kaso, përfaqësues i demokratëve u shpreh se legjislacioni parashikon që kandidatët duhet të identifikohen vetëm me emra dhe akuzoi PS për fshehje të kandidatëve problematikë pas numrave.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe LSI, ndërsa Partia Socialdemokrate e Tom Doshit u shfaq po për variantin me emra, duke deklaruar se tashmë kjo parti e ka nisur fushatën mbi këtë model flete votimi.
Fletë votimi me emra kërkoi edhe Nisma Thurje, ndërsa Bindja Demokratike propozoi që në vend të emrave të shihej mundësia që të vendoseshin inicialet e kandidatëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)
















Lini një Përgjigje