Futboll

Superiorja kthehet me 2 supersfida, 4 skuadrat e kreut përplasen mes tyre

Vllazninë e vendit të parë dhe Teutën e vendit të katërt në Superiore i ndajnë vetëm 2 pikë. Mes tyre janë Laçi dhe Partizani dhe këto 4 skuadra sot përplasen mes tyre për javën e 26-të të kampionatit. Futbollistët janë më të çlodhur nga pushimi i kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares dhe pritet që në fushë të ketë më shumë spektakël.

Sigurisht, vëmendja më e madhe është në Shkodër, ku Vllaznia kryesuese pret Partizanin, që nga shumica e specialistëve vlerësohet si kandidati kryesor për titullin kampion. Shkodranët kanë pasur luhatje të forta javët e fundit, ndërsa sot trajneri Tomas Bërdariç duhet të sistemojë mbrojtjen, pasi ka mungesa. Për të dhe skuadrën është një provë e rëndësishme në rrugën drejt titullit.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Vllaznisë këtë sezon. Gazeta Si, 3 prill 2021

Trajneri Ilir Daja shpreson që këtë herë ta thyejë Vllazninë, edhe pse luhet në transfertë. “Timonieri” i të kuqve mund të luajë sot edhe “kartën” Ferhan Hasani, i cili vjen nga grumbullimi me Maqedoninë e Veriut, ku luajti disa minuta. Edhe për Partizanin kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë dhe objektivi mininmal është që të mos dalë pa pikë nga stadiumi “Loro Boriçi”.

Teuta dhe Laçi, dy skuadrat e tjera me pretendime për titullin dhe që kanë vërtet shanse për ta arritur, do të përplasen në “Niko Dovana”. Durrsakët kanë avantazhin e fushës në këtë rast, por laçianët e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro kanë treguar se dinë të fitojnë kudo dhe ndaj çdo kundërshtari. Vështirë të bësh një parashikim për këtë ndeshje.

Nga një ndeshjes mes Teutës dhe Laçit. Gazeta Si, 3 prill 2021

Superiorja vazhdon nesër me 3 ndeshjet e tjera të javës së 26-të. Vllaznia kryeson me 45 pikë, e ndjekur nga Laçi me 44 dhe pastaj nga Partizani dhe Teuta me nga 43 pikë.

Superiore, java e 26-të
Sot, ora 16:00
Vllaznia-Partizani
Teuta-Laçi
Nesër
Tirana-Apolonia
Bylis-Kastrioti
Kukësi-Skënderbeu


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë