Politike

Shifrat / PS, PD e LSI nuk kanë besim tek të rinjtë

Tre partitë kryesore në Shqipëri janë në garë mes të tjerave edhe se cila prej tyre u krijon më shumë mundësi të rinjve dhe u bëjnë thirrje atyre që të përfshihen në politikë dhe në proceset vendimmarrëse të vendit. Por, kur vjen puna për t’u dhënë atyre përgjegjësitë e privilegjet e deputetit, partitë nuk kanë besim tek ta.

Nga një vështrim i hedhur mes kandidaturave të propozuara nga tre partitë kryesore politike Lëvizja “Qëndresa Qytetare” ka gjetur se në krahasim me zgjedhjet e 2017-ës ka një përgjysmim të kandidatëve të grupmoshës që cilësohen të rinj, nga 18 deri në 29 vjeç.

Katër vite më parë, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u propozonin shqiptarëve në total plot 104 kandidatë të kësaj grupmoshe, ndërkohë që më 25 prill, të trija këto parti kanë në listat e tyre vetëm 54 kandidatët të kësaj moshe.

Partia me më shumë të rinj në lista është LSI, me 34 kandidatë nën 30 vjeç, ose rreth 22.2 për qind e totalit të emrave që u propozon votuesve shqiptarë në zgjedhjet e 25 prillit. Në zonën e mundshme për t’u zgjedhur janë tre emra, po aq sa në zgjedhjet e 2017-ës.

Partia Socialiste është forca e dytë me më shumë të rinj në lista, me 15 kandidatë, ose 9.8 për qind e totalit të kandidatëve. Në krahasim me 2017-ën, kur ishin 14 kandidatë, kjo shifër është më e lartë, por ndryshe nga 2017-ta, kur një i ri u zgjodh deputet, këtë vit asnjëri prej kandidatëve nën 30 vjeç nuk është i vendosur në listat fituese të PS-së.

Partia Demokratike renditet e fundit nga tre partitë kryesore për përfaqësimin e të rinjve. Demokratët kanë vetëm 5 emra nën 30 vjeç në listat e kandidatëve, ose 3.2 për qind të totalit të kandidatëve. Vetëm njëri prej tyre është potencialisht deputet pas 25 prillit, nga 5 që ishin në 2017-ën.

Gjetjet e këtij studimi të financuar nga Britania e Madhe provojnë një rënie besueshmërie nga ana e klasës politike tek të rinjtë, në krahasim me 2017-ën. Partia Socialiste nuk ka shumë luhatje në krahasim me 2017-ën, por në listat potencialisht fituese nuk ka asnjë emër nën 30 vjeç.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë tkurrur ndjeshëm numrin e kandidatëve të kësaj grupmoshe. Rënien më të fortë e ka PD që në 2017 kandidonte 43 të rinj, ndërsa më 25 prill vetëm 5 të tillë. LSI nga ana tjetër, në 2017 kandidonte 47 të rinj, ndërsa këtë vit 34 të tillë.

Studimi vëren gjithashtu se sa më pak mandate të nxjerrë një qark, aq më i ulët është numri i kandidatëve të rinj në moshë, që sipas autorëve është sinjal për mosbesimin e partive politike tek politikanët e rinj.

Nga 54 emrat nën 30 vjeç që propozojnë tre partitë kryesore, 35 janë femra dhe 19 janë meshkuj. Mosha mesatare e kandidatëve të rinj është 26 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë