Politike

Meta i pakënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Gabuat me KLSH

Presidenti Ilir Meta, është shprehur i pakënaqur nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me vendimin e saj një muaj më parë, për rrëzimin e kërkesës së KLSH për shfuqizimin e ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Sipas Metës, Gjykata Kushtetuese duhet t’i bindet vetëm Kushtetutës dhe askujt tjetër.

Ai shkruan se auditimi i financave i takon vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Meta shton se audituesit privatë do të cenojnë hapësirën e atyre të KLSH-së duke, shtruar kostot për buxhetin e shtetit.

“Ekziston rreziku që pushteti vendor, duke përdorur dispozitën e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, me argumentin fiktiv se “i duhet të auditohet çdo vit” dhe brenda një periudhe të caktuar, mund të aktivizojë menjëherë vetëkontrollin e veprimtarisë financiare me auditues të jashtëm (privatë), të cilët licensohen e monitorohen nga qeveria, e cila, realisht ka fuqi kontrolli e mbikëqyrjeje ndaj tyre, – shkruan Meta. – Ky rrezik shtohet akoma edhe më shumë, në kushtet kur siç dhe ju jeni në dijeni, pushteti qendror dhe ai vendor, zotërohet 100 % nga e njëjta forcë politike (Partia Socialiste), e cila përmes votimeve një partiake të realizuara në qershor 2019, de facto, ka emëruar të deleguarit e saj politikë, si Kryetarë të Bashkive dhe të gjithë Këshillave Bashkiakë në vend, përmes një procesi antikushtetues votimesh, të realizuara pa garë, pa datë zgjedhjesh të caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”.

Kreu i shtetit ka renditur të gjitha rreziqet me të cilat do të përballet vendi, nëse ligji nuk ndryshon.

“Kjo situatë ku ndodhet vendi, e që për më tepër rëndohet përmes zbatimit të nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, përmban në thelb rrezik të lartë për dëmtimin e interesave të shtetit, pasi mund të përdoret bashkërisht nga Qeveria dhe Kryetarët e Bashkive, që të sigurojnë prej audituesve të jashtëm privatë, Raporte Auditimi me rezultate fiktive për të mbuluar shkeljet e rënda që ata kanë kryer, apo edhe më keq, për të mbuluar veprimet kriminale të shpërdorimit të fondeve dhe pasurisë publike”.

Presidenti kërkon të mos shmanget kontrolli nga KLSH dhe llogaridhënia përballë organeve të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë