Vala e re e Covid 19, që po pushton një Evropë tashmë duke u ndeshur me sfidën e dyfishtë të varianteve dhe mungesën e vaksinave, nuk është aspak homogjene.
Ka vende që po luftojnë, si Franca, Gjermania dhe Austria; ka të tjerë më të vendosur si Italia; Spanja dhe Portugalia, pas Britanisë së Madhe, janë ato që duket se po ecin më mirë. Të paktën deri më tani.
Sepse çdo sukses është relativ: këto prirje, mund të mos jenë domosdoshmërisht tregues të një trendi. Në varësi të masave që janë (ose jo) marrë gjatë pritjes së vaksinës, ato mund të bien brenda ritmit lëkundës që karakterizon valën e re të virusit.
Ndërsa në dy të parat kurba u ngrit drejt një kulmi dhe pastaj ra, tani po dëshmohet një lloj lëkundjeje.
Le të marrim për shembull rastin e dy vendeve iberike: shumë afër, por dy botë larg njëri-tjetrit. “Në Pashkë unë isha në Lisbonë, qyteti ishte i shkretuar, i gjithi i mbyllur. Dje mbërrita në Madrid. Këtu është sikur nuk kishte pasur kurrë Covid, rrugë të mbushura me njerëz, tavolina plot brenda dhe jashtë, madje edhe në mbrëmje”, thotë Paola del Vecchio, gazetare e pavarur.
Sigurisht Madridi nuk është Spanja: “Madridi është liri”, shkroi presidentja e rajonit, Isabel Diaz Ayuso, e Partisë Popullore, e cila u rebelua kundër direktivave të qeverisë socialiste, me një sy në zgjedhjet e majit.
Baret dhe restorantet nuk duhet të mbyllen, është parulla e saj, në një fushatë elektorale që mbështetet në dëshirën e përhapur për të rifilluar jetën dhe ekonominë.

“Liria nuk është kaos”, – ka replikuar kryeministri Pedro Sánchez, duke kujtuar se 40% e infeksioneve të reja në Spanjë janë përqendruar në kryeqytet.
Efektet e para të këtyre ngjarjeve të paplanifikuara (duke përfshirë turmat e turistëve gjermanë që u dyndën në ishujt turistikë për Pashkë), do të shihen në Spanjë brenda dy javësh.
Ndërkohë, nga frika e një vale të katërt, qeveria ka zgjatur me një muaj kufizimet për turistët dhe udhëtimet jo-thelbësore nga jashtë, nuk lejohen përveç se nga disa vende.
Për ardhjet nga pjesa më e madhe e Evropës (përfshirë Gjermaninë dhe Italinë), tani duhet të tregohet një test negativ në 72 orët e fundit. Dhe për të shmangur një rritje të shtrimeve në spital në kujdesin intensiv, Ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias u ka kërkuar autoriteteve rajonale të vazhdojnë me vaksinimet edhe gjatë pushimeve.
Situata në Portugali
Më homogjene dhe me sa duket më e mbrojtur nga pasojat, duket situata në Portugali, e cila pas dy muajsh bllokimi të vështirë, nisi një lëshim gradual në mes të marsit: përparësi për shkollat fillore, ndërsa që dje muzetë dhe kafenetë në natyrë janë rihapur.
Vendi që ka pak më shumë se 10 milionë banorë, regjistroi 4 vdekje dhe 193 raste të reja në 24 orë, por gjithsesi kujdesi mbizotëron.

Rekordi i 16,500 rasteve të reja në ditë, i arritur në fund të janarit, nuk është harruar.
Relaksimi i kufizimeve ka disa kritere: një maksimum prej katër personash në një tavolinë, palestra të mbyllura, kufizimi në pikat e kalimit kufitar për turistët zgjatet deri në 15 prill.
Edhe pse me efekte të ndryshme të parashikueshme, dy vendet e para të goditura rëndë nga ky kërcim i tretë që filloi në janar, po tregojnë shenja të rimëkëmbjes.
Trendi pozitiv i Spanjës dhe Portugalisë, pasuan me disa ditë vonesë, atë të Mbretërisë së Bashkuar, e cila arriti të kthente kursin falë një fushate masive vaksinimi. Ai mbi të cilin shtetet evropiane nuk mund të mbështeten ende.
Burimi: “Corriere della Sera”; Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje