Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkëbisedoi me disa të rinj të Vaut të Dejës rreth problemeve që i shqetësojnë.
Basha tha se janë mbyllur rreth 400 shkolla dhe se problemet me arsimin “janë shkak i mos trajtimit dinjitoz të arsimtarëve, keqpërdorimit të fondeve për këtë sektor dhe keqqeverisjes në përgjithësi”.
“…Taksat janë rritur. Ka 8 vjet që shqiptarët paguajnë taksa më të larta për shkak të Edi Ramës. Çmimet janë rritur. Këto para shkojnë në arkën e shtetit, por nuk kthehen te qytetari, nuk kthehen tek familjet e shqiptarëve, nuk kthehen në punësim, nuk kthehen në shëndetësi dhe nuk kthehen në arsim me cilësi. Ndërkohë deri në dhjetëra të këtij viti rritja totale e pagave për arsimtarët ishte disa herë më e vogël se inflacioni dhe vetëm kur erdhën zgjedhjet u kujtuan të bëjnë një rritje minimale për pagat bazë. Arsimtarë të pa respektuar, të pa paguar që nuk janë në gjendje të mbajnë fëmijët e tyre, të shpërndarë larg vendbanimeve që do të thotë kosto e rritur e transportit. Gjëja e parë që do të korrigjojmë është që ne do t’i kthejmë dinjitetin arsimtarëve shqiptarë duke ju rritur pagat dhe duke ju bërë të mundur që ata detyrën e tyre që është e dyta më e shenjta pas prindit ta kryejnë me dinjitet dhe me përgjegjësi maksimale…
90% e nxënësve dhe 80% e studentëve marrin mësim nga celulari sot, sa mund të mësosh nga celulari. Po atë internetin e celularit kush e paguan, fermeri që i kalbet produkti dhe nuk e shet dot apo babai që e sjell rrogën në shtëpi pasi paguan faturat e kripura dhe taksat nuk i mbeten për të ushqyer fëmijët, po fëmijët e të papunëve apo të personave me aftësi të kufizuara.
Në fushën e arsimit do të sjellim në radhë të parë, rritjen e pagave për pedagogët, për mësuesit dhe për arsimtarët duke përfshirë dhe pedagogët e universiteteve.
Do të sjelli shtrirjen e orarit mësimor deri në orën katër që është orari i përfundimit të punës për prindërit, nuk do të bëhet menjëherë në të gjithë vendin po do të fillojë në zonat rurale dhe në qytetet e vogla, aty ku siç e shpjegove fare mirë ti hendeku me qytet e mëdha është rritur…
Mbështetje me bursa do të ketë edhe për studentët që nuk kanë mundësi ekonomike për t’u shkolluar”, tha ai.
Basha theksoi serish se ligji për Arsimin e Lartë do të anulohet
Kryetari i PD-së premtoi se pas 25 Prillit do të fillojnë të ofrojnë së pari 5 gjuhë të huaja online pa pagesë, gjithë shqiptarët nën moshën 35 vjeç, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht. Basha foli për bonuset për studentet dhe se si do të mbështeten çiftet e reja që sot e kanë të pamundur të sigurojnë një banesë dhe të krijojnë familje.
“Do të thotë 5 mijë çifte të reja në vit, 20 mijë në krye të 4-vjeçarit tonë të parë do të përfitojnë që interesi bankar kur blen një banesë do t’ju paguhet nga qeveria e tyre…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje