Kryeministri italian Mario Draghi e cilësoi presidentin turk Erdogan një diktator pas mosfunksionimit të protokollit ku presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen gjatë vizitës në Ankara u la mënjëanë.
Von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me Erdoganin më 6 prill. Mysafirët u çuan në një dhomë të madhe për bisedime, por atje ishin vendosur vetëm dy karrige për tre udhëheqësit. Atje u ulën dy burrat, ndërsa von der Leyen u ul në një divan të madh, larg homologëve të saj meshkuj.
Kryeministri italian, Mario Draghi, tha se është “shumë i pakënaqur me poshtërimin që presidentja Von der Leyen ka pësuar”. Draghi gjithashtu tha se është e rëndësishme që të jetë i sinqertë me “diktatorët”.
“Absolutisht nuk pajtohem me sjelljen e Erdogan ndaj Presidentes von der Leyen … Unë mendoj se nuk ishte sjellje e përshtatshme dhe më erdhi shumë keq për poshtërimin që duhej të vuante von der Leyen. Me këto sjellje, le ti cilësojmë ata për atë çka janë në të vërtetë, diktatorë, me të cilët megjithatë dikush duhet të bashkëpunojë, duhet të jesh i sinqertë kur shpreh opinione dhe mendime të ndryshme”, u shpreh Mario Draghi, kryeministër i italisë.
Pas reagimit të kryeministrit Draghi, Turqia thirri ambasadorin italian në Ankara dhe ministri i jashtëm turk në një postim në Twitter kritikoi Mario Draghi që e cilësoi presidentin Erdogan një diktator.
“Ne dënojmë me forcë retorikën e papranueshme populiste të kryeministrit Italian Draghi dhe deklaratat e tij të shëmtuara dhe të rrepta për Presidentin tonë”, u shpreh ai.
Edhe kreu i Këshillit Europian Charles Michel u kritikua për sjelljen e tij në momentet kur duhej të uleshin, por falja e tij u mirëprit nga Komisioni Europian.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se Von der Leyen është “befasuar” nga aranzhimi, por “ka vendosur të vazhdonte, duke i dhënë përparësi substancës, përballë protokollit”. Lidhjet midis Ankarasë dhe BE-së janë tensionuar për vite me radhë për një varg çështjesh, që përfshijnë fluksin e migrantëve dhe përpjekjen e Turqisë për gaz në Mesdheun Lindor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje