Sport

Rritja e infektimeve alarmon Japoninë, rikthehet rreziku për Olimpiadën

Autoritetet japoneze në Tokio po përgatiten të shtrëngojnë masat kundër Covid-19 tri javë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pak më shumë se 100 ditë para Olimpiadës. Lojërat Olimpike hapen më 23 korrik në kryeqytetin japonez, ku numri i infektimeve ishte ulur me gjendjen e emergjencës, por po shtohen që kur masat shtrënguese u zbutën. Një situatë që ka rikthyer alarmin për zhvillimin e Olimpiadës.

Masat e reja, më pak të ashpra se në vende të tjera, parashikojnë mbylljen e restoranteve dhe bareve në orën 20:00. Qyteti i Osakës është objekt i masave speciale pas shtimit të të infektuarve dhe kjo solli edhe anulimin e stafetës së flakës olimpike në rrugët publike.

Nga e hëna e deri më 11 maj, edhe një pjesë e madhe e kryeqytetit do t’u nënshtrohet masave të reja, që janë të ngjashme me ato gjendjes së jashtëzakonshme. Vetëm kështu mund të goditen vatrat e infeksionit, sipas autoriteteve japoneze. “Për administrimin e krizës kam kërkuar aplikimin e masave speciale në Tokio”, – ka thënë guvernatorja e qytetit, Yuriko Koike.

Nga ceremonia e ndezjes së flakës olimpike në Japoni. Gazeta Si, 9 prill 2021

“Është urgjente të marrim masa më tëforta, të reduktojmë fluksin e personave që lëvizin mes qyteteve, sepse në të kundërt do të jemi të detyruar të përballemi me një përhapje më të madhe të të infektuarve”, – ka shtuar Koike. Edhe qyteti i Kyoto dhe zona të ndryshme të departamentit të Okinawa, kanë marrë masa të reja deri më 5 maj, duke përfshirë edhe javën e pushimit ‘Golden Ëeek’, gjatë së cilës priten shumë vizitorë.

Pavarësisht valëve të ndryshme të infektimit, Japonia është kursyer deri tani në raport me vendet e tjera, me rreth 9300 persona që kanë humbur jetën që nga janari i 2020-ës. Por qendrat urbane po shohin një rritje të rasteve me Covid-19. Po ashtu, mjekët kanë sinjalizuar për një përphapje të shpejtë të varianteve.

Vaksinimi ecën shumë ngadalë në Japoni, ku deri tani është aprovuar vetëm vaksina e kompanisë amerikane Pfizer. Vetëm personeli shëndetësor është vaksinuar, tani pritet të fillojë vaksinimi i të moshuarve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë