Nga Fatjon Rupi – Pak ditë para zgjedhjeve për kreun e Komitetit Olimpik Shqiptar (KOKSH), situata duket mjaft e acaruar. Prej kohësh organizata më e madhe sportive në vend është përfshirë nga një tymnajë e madhe, me procese gjyqësore të hapura nga presidenti i saj Viron Bezhani dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, pretendimet e të cilëve janë hedhur poshtë nga gjykata.
Ditët e fundit, komisioni për organizimin e zgjedhjeve ka skualifikuar rreth 23 federata për mungesë dokumentacioni, si dhe kandidatin Artan Shyti, i propozuar nga FSHF. Një veprim që ka sjellë menjëherë reagime të forta nga FSHF dhe kandidati Shyti, të cilët pretendojnë se procesi është krejtësisht i paligjshëm, edhe pse nga komisioni është pohuar se nuk bëhet fjalë për përjashtime.

“Kemi të bëjmë me një proces, siç është asambleja zgjedhore dhe që është i paligjshëm. Sot që flasim, unë nuk e di se kush do të votojë në këtë asamble. Do ta marr vesh të premten në mbrëmje dhe në këto kushte çfarë fushate mund të bëj unë”, – thekson Shyti për Gazeta Si. Më tej ai bën të qartë se, nëse i hiqet e drejta të kandidojë, do të ndjekë rrugët ligjore në KAS (Gjyakata e Arbitrazhit Sportiv).
“Unë dokumente shtesë nuk çoj. Jam një kandidat i propozuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nëse nuk më lejojnë të kandidoj, atëherë do të bëj skandal. Do ta ndjek çështjen në KAS. E ritheksoj se janë bërë veprime të paligjshme, janë çështje juridike dhe teknikalitete që duhen ndjekur. Asambleja që pretendohet se është bërë, nuk e di me cilët persona, është e paligjshme.
Nëse Gramoz Ruçi marton djalin dhe fton në dasmë te 15-katëshi 140 deputetet e parlamentit, nuk kemi të bëjmë me një seancë parlamentare, por me nëj dasmë… Jam vetëm për zbatimin e rregullave dhe të ligjeve, në mënyrë që KOKSH-i të funksionojë si duhet. Nuk mund të ndërtohet diçka me themele të kalbura. Çfarë llogarie do t’i kërkojë parlamentit presidenti i KOKSH-it, kur është vetë pjesë e tij?”, – shprehet Artan Shyti për Gazeta Si.

Në anën tjetër, kandidati Martin Biba ka akuzuar me anë të një statusi në faqen e tij në Facebook se po tentohet të vidhen votat, duke ofruar shuma deri në 6000 mijë euro. “Gara për Presidentin e KOKSH dhe organeve drejtuese më 17 Prill 2021, akoma nuk dihet se ku do mbahet dhe në çfarë ore zhvillohet Asambleja e “Zakonshme” Zgjedhore. Kam thënë se KOKSH duhet të zgjidhë dhe të ndryshojë rrugën e greminës që ka marrë prej shumë vitesh dhe ja ku jemi.
Banda e “rilindjes” kandidon për President një deputet të sajin dhe ka ngritur celulën e ushtrimit të presionit të blerjes së votës, shantazhin me presionet polike të pushtetit por dhe krimit të organizuar që tashmë e do dhe KOKSH-in nën kontroll. Blerja e votave shkon nga 4 mijë euro deri 6 mijë euro, sipas fjalëve dhe thashethemeve në ambjentet parazgjedhore e parapolitike në KOKSH. Ju garantoj se kush do të përfshihet në këto pazare, nuk do të ketë vend më në KOKSH-in e të ardhmes”, – shkruan Biba mes të tjerash.

Deputeti Fidel Ylli, i propozuar si kandidat nga disa federata, ka reaguar me qetësi ndaj situatës së tij. Ai ka thënë se gjithçka është bërë sipas statutit të ri dhe se ata që kanë pretendime, mund t’i drejtohen gjykatës, siç ka bërë Viron Bezhani dhe FSHF.
Komisioni që po organizon zgjedhjet e 17 prillit ka bërë me dije se statuti i ri ka marrë miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe gjykatës, kështu që çdo gjë që është në rregull. Kjo është situata pak ditë para asamblesë zgjedhore. Një situatë mjaft e tensionuar, siç ndodh rëndom edhe kur ka zgjedhje në federata të caktuara, ku përplasjet, sherret dhe akuzat nuk kanë munguar asnjëherë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje