Pavarësisht se një hua e marrë nga Kina mund të çojë në falimentimin e Malit të Zi si shtet, Bashkimi Europian nuk ka pranuar të ndihmojë Podgoricën zyrtare, duke thënë se vendet e rajonit duhet të bëjnë kujdes me kreditë që marrin nga Pekini.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano tha se BE nuk do ta ndihmojë Malin e Zi të ri paguajë një hua që kishte marrë nga një bankë kineze për ndërtimin e një autostrade. Në mënyrë që të shtyjë huanë, Ministri i Investimeve Kapitale të Malit të Zi, Mladen Bojanić tha të hënën se ai do t’i propozojë homologut të tij serb, Tomislav Momirović, që të dy vendet së bashku të aplikojnë për fonde nga BE-ja për përfundimin e autostradës nga Beogradi në Tivar.
Pjesa problematike është në Malin e Zi, ku autostrada po ndërtohet nga kompania kineze China Road and Bridge Corporation (CRBC). Mali i Zi mori një hua nga Banka Kineze Exim për të mbuluar pjesën më të madhe të kostos së autostradës. Por, punimet u vonuan dhe çmimi u rrit nga 800 milion euro në 1.3 milion euro, një borxh që shteti i Malit të Zi nuk mund ta përballojë dhe mund të çojë në falimentim.
Stano tha se investimet nga Kina në disa shtete të Ballkanit Perëndimor nxisin shqetësim në Bashkimin Europian, për shkak të implikimeve politike, sociale dhe ekonomike, por tha se vendet e rajonit janë të lira që të zgjedhin partnerët e tyre dhe se BE nuk do të mbajë përgjegjësi për pasojat e vendimeve të tyre.
Zëvendëskryeministri në Mal të Zi, Dritan Abazovc kishte kërkuar ndihmë nga BE-ja gjatë një vizite në Bruksel. BE tani thonë se “është e gatshme të ndihmojnë me programe të ndryshme për stabilitet fiskal”, por jo edhe për të kthyer kreditë që Mali i Zi apo cilido shtet tjetër i rajonit ka marr nga ndonjë partner i tretë.
“BE-ja është e shqetësuar për efektet socio-ekonomike dhe financiare që mund të kenë investimet kineze. Ekziston rreziku nga disbalanca makro-ekonomike dhe varësia nga marrja e borxheve”, tha nga ana tjetër zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero.
Pjesa e autostradës në Mal të Zi, që është duke u ndërtuar me kredinë nga Kina, pritet të lidhë Podgoricën me Kolashinin. Projekti final i autostradës krijon lidhje mes pjesës veriore dhe jugore të këtij shteti. Kompania kineze CRBC po ndërton pjesën e parë të autostradës dhe banka kineze EXIM, i ka dhënë një hua Malit të Zi në vlerë prej 809 milionë dollarësh, pagimi i së cilës do të fillojë në mesin e këtij viti. Në 31 mars, ministri i Financave Milojko Spajiç konfirmoi se qeveria po negocionte një hua shtesë me bankën EXIM, në shumën prej 127 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, më 2020, Kina ka investuar në Mal të Zi më shumë sesa investimet e përgjithshme të bëra në dekadën e fundit. Investimet kineze më 2020 kapën vlerën prej 71.2 milionë eurosh, ndërkaq që nga viti 2010 totali i investimeve ishte 78 milionë euro.
BE ka sqaruar disa herë se gatishmëria e tyre për të ndihmuar nuk duhet të kuptohet si gatishmëri për të kthyer borxhin që ndonjë shtet ka marr. Stano ka rikujtuar se si në Mal të Zi dhe në shumë shtete të tjera të rajonit, blloku evropian jo që është investuesi më i madh, por edhe donatori më i madh i ndihmës financiare si dhe partneri kryesor tregtar.
Stano ka rikujtuar se për investimet në Ballkan, përmes një programi të veçantë, BE-ja ka mobilizuar edhe nëntë miliardë euro.
“Rasti i ndërtimit të autostradës në Mal të Zi është një shembull se si investimet kineze janë të kushtëzuara”, tha Stano.
Në Parlamentin Evropian është shprehur po ashtu shqetësimi disa herë edhe për pasojat e disa investimeve nga Kina në Serbi. Investimi në minierën e Borit ka nxitur shqetësime për mos respektimin e standardeve, sa i përket ruajtjes së mjedisit. Kina ka investuar edhe në projekte të tjera infrastrukturore në Serbi, ku dyshohet se këto projekte janë kontraktuar pa shpallje publike dhe pa pasur mundësi që edhe kompanitë evropiane të konkurrojnë për këto projekte.
Së fundmi, Kina po tenton të rrisë ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit edhe përmes sigurimit të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19. Numrin më të madh të vaksinave, Kina i ka shpërndarë në Serbi, pavarësisht se numri i të vaksinuarve brenda Kinës është më i vogël sesa mesatarja në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje