Futboll

Ibrahimoviç dënohet vetëm një ndeshje dhe me 5 mijë euro gjobë

Nuk do të ketë një dënim të rëndë për Zllatan Ibrahimoviçin pas kartonit të kuq të marrë të shtunën në ndeshjen ndaj Parmës, ku ai protestoi ndaj arbitrit Mareska. Suedezi rrezikonte një ndalesë të gjatë, por në fakt është skualifikuar vetëm për një ndeshje nga Gjykatësi Sportiv.

“Kritikë me mungesë respekti dhe sjellje provokative”. Ky është motivi i dënimit të sulmuesit 39-vjeçar të Milanit, që është gjobitur dhe me 5 mijë euro. Ibrahimoviç nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Stefano Pioli vetëm për ndeshjen e së dielës ndaj Xhenoas. Dënimi me një ndeshje nuk e lë të hapur mundësinë e apelimit nga ana e klubit kuqezi.

Ibrahimovic lë fushën pas ndëshkimit me të kuq. Gazeta Si, 13 prill 2021

Arbitri Mareska e ndëshkoi direkt me karton të kuq Ibrahimoviçin, pasi dha një faull në favor të Milanit. Sulmuesi u ankua për një faull të mëparshëm ndaj tij, duke thënë “më duket e çuditshme”. Arbitri e kuptoi si “je një bastard”, ndaj dhe e ndëshkoi me të kuq.

Ibrahimoviç ndërkohë është vënë në qendër të kritikave edhe për faktin se është fotografuar duke drekuar në restorant në një zonë të kuqe dhe pa maskë. Ai u justifikua me një drekë pune, por reagimet për këtë gjest kanë qenë të mëdha dhe kundër suedezit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë