Futboll

Erë e re te Bajern Mynih, ndryshimi fillon me Nagelsman në stol

Bajerni është gati të ndryshojë gjithçka dhe të nisë një erë të re. Trajneri aktual, Hansi Flik, do të largohet, në vend të tij do të vijë Julian Nagelsman, Upamecano është blerë tashmë, por duhen të tjerë elementë për të rinovuar dhe forcuar grupin. Dilema më e madhe është sulmuesi që do të luajë në krah të Levandovskit, që nuk është më i ri.

Pak orë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, – që kur e pëson si kampion në fuqi dhemb më shumë, – te Bajerni kanë nisur manovrat e mëdha për të pushtuar botën. Këto manovra nisin nga trajneri, ku emri i duhur duket ai i Julian Nagelsman, 33-vjeçarit që drejton Lajpcigun. Pak vlen ajo që vetë Nagelsman ka deklaruar në konferencë shtypi: “Nuk kam pasur kurrë kontakte me Bajernin dhe kjo vlen edhe për agjentët e mi”.

Një përgënjeshtrim i detyruar, por kur Bajerni nxjerr një lajm, do të thotë se është thuajse zyrtar. Ashtu siç është gati zyrtar emërimi i Hans-Dieter Flik në krye të Gjermanisë, në vend të Joakim Lëv. Flik arriti në një pikë pa kthim prapa në raportet me klubin, veçanërisht me drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiç. Shumë të ndryshme idetë e futbollit mes të dyve.

Dajot Upamecano, blerja e parë e Bajernit për sezonin e ri. Gazeta Si, 15 prill 2021

Një lëvizje e rëndësishme për Bajernin e ri është bërë me blerjen e mbrojtësit qendror Dajot Upamecano, i cili vjen pikërisht nga Lajpcigu. Bavarezët paguan klauzolën e prishjes së kontratës së tij prej 60 milionë eurosh. Dy qendrorët që kanë luajtur më shumë muajt e fundit janë të detyruar të largohen. Alaba nuk ka rinovuar dhe është në bisedime me PSG-në, ndërsa për Boateng ishte klubi që nuk propozoi rinovimin. Në dyshim është edhe e ardhmja e mbrojtësit të djathtë Pavard, që jo gjithmonë ka qenë në lartësinë e duhur.

Pavarësisht eliminimit në çerekfinale, Championsi do të çojë në arkat e Bajernit rreth 100 milionë euro, që mund të investohen në merkato, duke nisur nga ndonjë lojtar pa kontratë, si për shembull Lukas Vazkez i Real Madridit, që nuk ka rinovuar dhe mund të jetë një objektiv. Duket shumë serioz interesimi për mesfushorin Kamavinga të Renes. Ai nuk ka rinovuar dhe është më shumë se një hipotezë për Bajernin. Nga ata që nuk do të qëndrojnë janë Douglas Kosta, që do të kthehet te Juventusi. Flitet edhe për një lamtumirë të Tomas Mylerit.

Eduardo Kamavinga, mesfushori që pëlqehet nga bavarezët. Gazeta Si, 15 prill 2021

Pika më e nxehtë e merkatos është një sulmues qendre, që mund të jetë partneri i Levandovskit sezonin e ri dhe më pas edhe pasuesi i tij. Dy ndeshjet e fundit në Champions kanë treguar se Çupo-Moting, përtej 2 golave të shënuar dhe dëshirës së mirë, nuk mund të bëjë atë që i duhet Bajernit. Ka polemika ndërkohë për mungesën e bavarezëve në garën për Haland. Rumenige gjithmonë ka thënë se kush ka Levandovskin, nu mund të mendojë për të blerë Haland dhe aq më tepër me ato shifra.

Në Gjermani po flitet për Umar Sadiq, ish-lojtar i Romës dhe tani tek Almeria, edhe pse shumë mendojnë se profili perfekt është Aleksander Sorloth, qendërsulmuesi i Lajpcigut që ka shpërthyer me Nagelsman. Ai është norvegjez, ashtu si Haland, vetëm 5 gola në Bundesligë, por ka një kapacitet të jashtëzakonshëm për të marrë pjesë në lojën e skuadrës.

Aleksander Sorloth, sulmuesi norvegjez që mund t’i bashkohet Bajernit. Gazeta Si, 15 prill 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë