Turqia njoftoi masa të reja shtrënguese në përpjekjen e radhës për të frenuar përshkallëzimin e rasteve të reja me Covid, që ditët e fundit kanë njohur një rritje shqetësuese për autoritetet, pavarësisht procesit relativisht të kënaqshëm të vaksinimit.
Kufizimet e reja u njoftuan mbrëmjen e së martës nga Presidenti Recep Taip Erdogan. Ato do të jenë të pjesshme dhe do të zgjasin në dy javët e para të Muajit të Ramazanit.
Erdogan iu adresua qytetarëve turq përmes televizioneve në përfundim të mbledhjes së kabinetit të tij, duke deklaruar se Qeveria po rivendoste ndalimin e udhëtimeve mes qyteteteve, ndalimin e transportit publik për të moshuarit mbi 65 vjeç dhe minorenët nën 18 vjeç, kufizimin e orareve të punës në sektorin publik, mbylljen e palestrave, hamameve dhe zgjatjen e orarit të ndalim-qarkullimit me dy orë, nga 19:00 deri në orën 05:00. Gjatë këtij orari do të lejohen vetëm emergjencat.
Shkollat do t’i rikthehen mësimit online, me përjashtim të klasave të fundit të arsimit fillor dhe të maturave të gjimnazeve, dasmat dhe ceremonitë tjera që mbledhin shumë njerëz ndalohen, e po ashtu edhe iftaret masive.
Masat mbërrijnë pasi autoritetet turke njoftuan rreth 59 mijë raste të reja vetëm në 24 orët e fundit, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Turqi që prej fillimit të pandemisë. Gjithashtu, u raportuan se po në këtë hark kohor kishin humbur jetën si pasojë e Covid 273 persona.
Turqia renditet mes vendeve më fort të goditura nga pandemia. Prej muajit mars, infektimet e reja janë pesëfishuar dhe numri i vdekjeve e rasteve të rënda ka pësuar një rritje domethënëse gjithashtu. Turqia ka raportuar zyrtarisht pak më shumë se 34 mijë të vdekur nga Covid, por si në shumë vende të tjera, ekspertët thonë se shifra është më e lartë.
“Rritja e numrit të rasteve të reja dhe vdekjeve, sidomos në qytetet e mëdha na detyron që të forcojmë sërish masat. Megjithëse situata nuk e ka rënduar sistemin tonë shëndetësor, nuk mund të qëndrojmë spektatorë në dritën e këtyre zhvillimeve”, tha Erdogan.
Masat e reja hynë në fuqi ditën e mërkurë dhe Presidenti Erdogan nuk përjashtoi ashpërsimin e tyre nëse nuk jepen efektet pozitive të pritshme në uljen e rasteve të reja dhe frenimin e infeksionit.
“Nëse nuk arrihet përmirësimi i situatës sipas objektivit që kemi vendosur në dy javët e ardhshme, masa të reja edhe më të ashpra do të jenë të pashmangshme”, tha Erdogan.
Synimi i autoriteteve turke është vënia nën kontroll e pandemisë para nisjes së sezonit turistik, ndërsa Ministria e Shëndetësisë thotë se rreth 85 për qind e rasteve të reja janë identifikuar me variantin britanik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje