Futboll

Mevlan Adili: Trofetë ngrihen me dorën e tifozëve, një Kombëtare kemi ne shqiptarët

Nga Fatjon Rupi – Në finale të Kupës së Shqipërisë dhe me shanse reale për fitimin e titullit kampion në Superiore. Para nisjes së sezonit ndoshta edhe ultrasi më ëndërrimtar i Vllaznisë nuk e kishte menduar këtë ecuri. Dhe është një mëkat i madh që tifozët shkodranë nuk kanë mundësi ta shijojnë këtë Vllazni kompetitive pas shumë vitesh të vështira.

Mevlan Adili, një nga liderët në fushë të kësaj skuadre, për Gazeta Si thekson se te Vllaznia është punuar për këto ditë. Ai shpreson që në Shkodër të festohet pse jo për të dy trofetë. Adili e nis nga kthesa që ka bërë Vllaznia javët e fundit: “E kaluam momentin e vështirë, rezultoi pozitive situata për ne, sepse nuk humbëm shumë nga vendi i parë. Mendoj se kthesa ishte ndeshja me Korabin, që erdhi në momentin e duhur. Tani po fitojmë, mundëm Laçin dhe jemi në finale të Kupës.

Mevlan Adili, 27 vjeç. Gazeta Si, 15 prill 2021

Jemi në garë për të dy trofetë, por nuk kemi fituar akoma asgjë. Kemi shkuar në finale të Kupës së Shqipërisë, por nuk do të thotë se e kemi fituar, kemi edhe një ndeshje të fundit. Fokusi është te kampionati dhe shpresoj të marrim të dy trofetë në fund. Kë do preferoja? Trofeu është trofe, Shkodra ka goxha vite që nuk fiton dhe njëri apo tjetri do ta gëzojë shumë, por mendoj se kampionati do të ishte më mirë”, – shprehet mbrojtësi 27-vjeçar për Gazeta Si.

Shqiptari nga Maqedonia e Veriut luan sezonin e dytë në Shkodër. Në krahasim me kampionatin fqinj, ai thotë niveli i Superiores është shumë më i lartë: “Kam një vit e gjysmë me Vllazninë dhe niveli i kampionatit shqiptar është i mirë. Niveli i futbollit në Maqedoninë e Veriut po shkon duke rënë, ndërsa në Shqipëri po shkon lart. Jo më kot lojtarët më të mirë të Maqedonisë së Veriut po vijnë në Shqipëri.

Kampionati këtu është më lart në shumë drejtime, që nga infrastruktura, mediumet, loja, tempo, ritmi. Është ndryshe. Nuk është futboll i dobët në Maqedoninë e Veriut, por aty është vetëm Shkëndija, në Shqipëri e them me bindje se futbolli është më lart, ka më shumë skuadra pretendente”.

Adili duke bërë një ndërhyrje ndaj Bregut. Gazeta Si, 15 prill 2021

E ardhmja jashtë dhe ëndrra për Kombëtaren
E ardhmja në Shkodër? Mevlan Adili pranon me sinqeritet se synon një kampionat të huaj: “Të them të drejtën, nuk mendoj të vazhdoj edhe shumë vite në Shkodër, por është e qartë një gjë: tani jam te Vllaznia dhe mendoj më të mirën për të. Uroj që të kem ndonjë ofertë të mirë nga jashtë, nga kampionatet në Europë, sepse vitet i kam, edhe eksperienca nuk më mungon. Shpresoj që me Zotin para të kem diçka të mirë. Por edhe nëse nuk kam, te Vllaznia jam mirë. Kampionati është i bukur dhe ia vlen të luash këtu.

Kombëtarja? Kam luajtur vetëm 2-3 ndeshje me U-21 të Maqedonisë së Veriut. Të luaja për Kombëtaren do të ishte një ëndërr e realizuar për mua, sepse ne shqiptarët e Maqedonisë jemi, si ta them, pak më patriotë. Jam shqiptar puro dhe vetëm një Kombëtare kemi në shqiptarët, atë të Shqipërisë, të tjerat janë raprezentacione. S’mund të jenë të gjitha Kombëtare, as e Maqedonisë dhe as e Kosovës, Shqipëria po. Kjo është thënë gjithmonë, të gjithë njerëzit e dinë këtë.
Edhe Maqedonia e Veriut i ka shtyllat kryesore lojtarë shqiptarë, më bëhet qejfi për ta, sepse i njoh dhe i kam miq. Uroj të ecin sa më lart, por ëndrra ime është të luaj për Shqipërinë një ditë”, – shton mbrojtësi i Vllaznisë.

Adili pas një ndërhyrjeje akrobatike. Gazeta Si, 15 prill 2021

Skuadra, objektivi për dy trofetë dhe tifozët
Optimizmi është më i madh tashmë te skuadra shkodrane, që sipas Adilit është më e pjekur. “Atmosfera te ne është gjithmonë e njëjtë, – shprehet Adili. – Si kur humbim, edhe kur fitojmë. Ka shumë respekt dhe dashuri mes lojtarëve dhe jo rastësisht u kthyem shpejt pas një momenti të vështirë. E kemi pjekurinë për të kaluar momente të tilla, kemi pasur shumë sprova këtë sezon, ku në vend të fitonim kemi humbur kur nuk e ka pritur askush. E dimë ku kemi gabuar.

Çdo ekip ka krizat e veta dhe një të tillë e kaluam edhe ne. Dora e trajnerit është e dukshme, sepse kemi filluar prej zeros dhe kemi punuar fort për këto ditë. I kemi pritur, nuk ia kemi lënë rastit. Ata që thonë se janë rezultate të rastësishme, nuk janë korrektë. Trajneri ka një cilësi të veçantë, as sendin më të vogël nuk ia lë rastësisë.

Favoritë ne finalen e Kupës? Nuk e mendoj kështu, sepse kam luajtur më parë finale dhe në finale nuk ka favoritë. Emocionet që të jep një finale, nuk t’i japin ndeshjet e tjera. Finalet nuk luhen, fitohen. Edhe kampionati tani është bërë më i fortë dhe më interesant me rikthimin e Tiranës. Do të jetë më i fortë se vitet e kaluara.

Festa e Vllaznisë pas kalimit në finale të Kupës së Shqipërisë. Gazeta Si, 15 prill 2021

Mesazh për tifozët? T’i shijojmë këto ditë, pa ata jemi asgjë. Ata janë lojtari i 12-të. Ne jemi dora e djathtë, ata janë dora e majtë dhe për të ngritur një trofe duhen të dyja duart. Shpresoj që në fund t’i gëzojmë me një apo të dy trofetë, sepse Shkodra e meriton. Tifozët na mungojnë dhe nuk mund ta mendoj ndeshjen e djeshme (me Laçin), sikur të ishte me tifozë. Do të ishte një delir shumë i madh”, – përfundon Mevlan Adili.

Në Shkodër po bëhen gati për festë, të dy trofetë janë shumë pranë, sidomos ai i Kupës së Shqipërisë. Sido që të shkojë, Vllaznia është kthyer në nivelet që janë mësuar ta shohin shkodranët dhe gjithë shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë