Komunitet

Kush blen libra nga shitësit e rrugës? Përveç policisë bashkiake që..

Kush blen libra nga shitësit e rrugës? Përveç policisë bashkiake që..

Nga Megi Iskurti - Nëse të qëllon të kalosh në Tiranë, sidomos buzë Lanës, hasesh aty me ambulantë që shesin libra shumica të vjetër, tek-tuk edhe të rinj.

Tek këta shitës buzë Lanës, njësoj si ata buzë Senës në Paris, mund të gjesh libra të cilët nuk i has rëndom në vitrinat prej xhami të librarive të reja.

Dy nga ta, janë njohës të mirë të letërsisë dhe i treguan Gazetës “Si” se sa shumë ka rënë numri i shqiptarëve që lexojnë,  e sidomos i të rinjve.

Njëri prej tyre, i njohur me pseudonimin  “Bukinisti Mendel”, një ish mësues matematike me profesion, më rrëfeu që i kishte lënë pas dore ekuacionet që të merrej me letërsi dhe me libra.

Ai kishte punuar nga viti ‘89 deri në vitin 2006 kur kishte vendosur të shkëputej totalisht dhe kishte nisur të shiste libra që së pari i kishte patur të trashëguar e të koleksionuar në familjen e tij.

Pasi rendiste librat në rrugë të ndryshme të Tiranës ai ulej dhe lexonte me orë të gjata teksa priste të vinte ndonjë lexues me të cilin përveçëse  librit, të ndante me të edhe biseda për stilistikën e shkrimtarëve të ndryshëm.

Librat tani i mbledh nga familje të ndryshme të cilat e telefonin dhe ia dorëzonin në varësi të një çmimi të caktuar.

Ndër librat më të vjetër e më interesantë që kishte gjetur nëpër shtëpitë e ndryshme shqiptare ishin libra që nga viti 1905, ku ndër të tjerë ai përmendi edhe librin origjinal të “Lahutës së Malcis” të cilin pasi e kishte rilexuar tre herë, ia kishte shitur një shqiptari të apasionuar në Kanada.

“Dikur nga shitja e librave fitoja edhe rreth 300 mijë lek të vjetra xhiro në një ditë ndërsa tani fitoj shumë më pak. Nuk blejnë më njerëzit, sidomos të rinjtë që rendin drejt teknologjisë.

Më e keqja është se duan vetëm libra limonadë, romanca adoleshentësh. Nuk kanë kultivuar shije të mira letërsie dhe kjo është shumë shqetësuese”-tha ai ndërsa  herë pas herë më tregonte me gisht libra të ndryshëm të vjetër që  i konsideronte si më të mirët e letërsisë.

Ndër shqetësimet e tjera që kishte në lidhje me punën si librashitës, ai ngrinte problemin se qeveria nuk e ka sistemuar si duhet këtë treg.

“Është e tmerrshme që nuk kemi tezga dhe kioska nëpër Tiranë po duhet t’i hapim librat në trotuare. Në ditë me shi ku të shkojmë? Na lagen librat, nuk i nxjerrim dot. Me çfarë t’i ushqej fëmijët?

Duhet të kemi një vend që është vetëm për ne shitësit ambulantë të librave ku secili të ketë perimetrin e tij. Ta dinë dhe lexuesit se ku orientohen dhe ku mund të vijnë.

Nuk ia dilet duke u shpërndarë nëpër pika të ndryshme se kështu na çorientohen edhe lexuesit tanë.”-tha ai teksa thellohej në vijimësi të këtij shqetësimi.

Më tregoi se shumë të huaj janë të apasionuar sidomos  pas librave që flasin për periudhën e komunizmit në Shqipëri ndërsa shqiptarët, sipas tij, lexojnë shumë pak për fillesat e letërsisë shqipe të cilat kanë qenë një gurthemel shumë i rëndësishëm në konsolidimin e saj.

Thuajse të njëjtat shqetësime ndante edhe Hajriu, një shitës ambulant në Rrugën e Elbasanit tek i cili spikasin nga larg librat e vjetër me ngjyrën e zverdhur e të dalë boje.

“Më vijnë shumë mësues letërsie që kërkojnë libra të ndryshëm të viteve më parë dhe mua më bëhet qejfi për këtë. Mirëpo, në biseda me ta, kuptoj se shumë libra dhe shumë vepra që janë realisht të arrira artistikisht nuk përfshihen në programe shkollore.

Kjo është për të ardhur keq.”-më rrëfeu ai me një zë të ulët e të butë që ia theksonte akoma më shumë pamjen e intelektualit të qetë e të lexuar.

“Lexuesit që blejnë tek unë janë të moshës mbi 40 vjeç kryesisht, rrallë më vijnë të rinj. Edhe kur kalojnë përbri librave të mi as nuk e kthejnë kokën, më bën shumë përshtypje kjo gjë, fakti që nuk ua nxit kureshtjen një stivë librash e vendosur diku.”

Përgjatë orëve me shi të dimrit e temperaturave të larta gjatë verës, ata i ke gjithmonë rrugëve.

I sheh teksa shtrojnë librat në orët e para të mëngjesit dhe i mbledhin gjatë muzgut, e ditët ku kthehen në shtëpi me të njëjtën sasi librash, janë të shumta sipas tyre.

Ata mendojnë që fakti se nuk kanë një vend specifik ku të shesin të gjithë sëbashku, siç është përshembull ai i frutave dhe perimeve, i penalizon në të ardhurat që fitojnë.

Hajriu po ashtu i mblidhte librat nga familjarë të ndryshëm dhe thuajse si gjithë të tjerët i shet me gjysmë çmimi, mjafton që njerëzit të blejnë.

“Unë e kam për pasion këtë gjë por sigurisht që në fund të ditës dua edhe që të fitoj diçka. Megjithatë, përgjithësisht i shesim me gjysëm çmimi, më shumë për të rritur edhe interesin e tyre për libra të tjerë.”-më tregoi ku më përmendi edhe faktin që policia bashkiake nuk e lejonte dikur që të ushtronte aktivitetin e tij.

Ata do i shihni sërish mëngjesin e së nesërmes, me karrocën mbushur plot me libra në rrugica të ndryshme të Tiranës ku si në krye të herës kur nisën këtë punë, urojnë që tregu i tyre të konsolidohet dhe policia bashkiake të mos ua sekuestrojë librat, sepse sipas tyre :  “Veç lulet e librat nuk duhet të preken...”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë