Luan Rama, që kryeson listën e kandidatëve të LSI-së në Vlorë, i ka cilësuar hamendësime mediatike artikujt se ai është “ftohur” me partinë e tij dhe po afrohet me Partinë Socialiste.
“Janë histori të ndërtuara mbi hamendësime të medias dhe tymnajë thashethemesh që qarkullon në Vlorë. Unë jam në detyrë dhe jam zv.Kryetar i LSI-së, jam edhe në krye të shtabit elektoral të LSI-së në Vlorë”, tha ai.
Objektivi i LSI-së në Vlorë, sipas tij, janë 3 mandate dhe votën e socialistë nuk mohoi se po e kërkon.
“Synojmë 3 mandate në Vlorë dhe të tjerat janë të parëndësishme për mua. Nuk më tërheqin vëmendjen. Kemi punuar që socialistët e zhgënjyer, të fyer dhe të tallur të Vlorës të kenë ku të votojnë, sepse në listën e Rilindjes nuk kanë asnjë socialist”, thotë Rama në një intervistë për Top Neës.
Zv.kryetari i LSI-së shprehet se lista e kandidatëve të kësaj force politike në Qarkun e Vlorës është edhe produkt i tij.
“Lista e kandidatëve është produkt i një procesi të gjatë konsultimesh që kam bërë me strukturat e LSI në qark dhe emër për emër nga Griseida dhe pas këtij konsultimi me strukturat e partisë, janë zgjedhjet e mia. Çdo kontribut që vjen nga kolegët e mi të partisë dhe drejtuesit e tjerë të LSI është i mirëpritur”, vijoi ai.
Artikujt mediatikë se Presidenti Meta po mbështet kandidaten e dytë në listë, se Petrit Vasili po promovon kandidaten e renditur të nëntën në këtë listë, apo se Monika Kryemadhi po e shmang, Luan Rama i cilësoi si çështje agjende.
“Presidenti ka detyrën dhe agjendën e vet si kryetar i shtetit, që nuk ka të bëjë me LSI. Me kolegun Vasili jam takuar dhe kemi folur për fushatën dhe kryetarja e LSI-së ka qenë këtu”, tha Rama.
E sa i takon agjendës së Presidentit, ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, kreu i shtetit u rikthye në Vlorë këtë të premte. Meta u kërkoi vlonjatëve që të votojnë kandidatët që luftojnë korrupsionin.
“Kapja e institucioneve qendrore dhe vendore, siç është këtu me banditin e importuar nga Astiri (Afrim Qëndro), që ka ardhur këtu vetëm për të bërë presione dhe keqpërdorur administratën për blerje votash. Të mbështesin të gjithë kandidatët që denoncojnë korrupsionin e që japin shpresë që do të kemi një Vlorë më të begatë”, tha Meta.
Në shënjestër kishte sërish Damian Gjiknurin dhe Kryeministrin Edi Rama.
“E dimë kush i ka pushtuar institucionet, kush e ka vrarë shpresën dhe kush nxit shpopullimin e rinisë dhe një formë të re të instalimit të pushtimit dhe kolonializimit. Sa u takon provokimeve ordinere, ne e dimë që ka një adresë të cilën do t’ja dërgojmë më 26 prill ku ai do të ketë mundësi të kurohet dhe njëkohësisht të shijojë diellin e Vlorës”, tha Meta duke e mbyllur deklaratën e shkurtër para gazetarëve me shprehjen “Të fala gurusë!”.
Më herët, Damian Gjiknuri e quajti avatar Presidentin Ilir Meta dhe e paralajmëroi se 25 prilli do t’i japë atij referendumin që kërkon.
“Numri 12 do të jetë edhe referendum për këtë avatarin e ditëve të fundit që ka zbritur në Vlorë ditëve të fundit dhe që zbuloi komplotin që do marrin 9 mandate tha. Unë zbulova komplotin që vlonjatët do të votojnë 9 mandate të PS. Pra, problemi i këtij mikut që erdhi nga Tirana, këtij Presidentit të vetëshpallur lider të opozitës, kishte hallin që në Vlorë qytetarët do t’i japin 9 mandate PS”, tha Gjiknuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje