Futboll

Superiore/ Vllaznia për pikë titulli në Fier, Teuta për “hakmarrje” në Korçë

Pas Partizanit, që dje bëri detyrën ndaj Kastriotit, në fushë zbresin tre rivalët e tjerë për titullin kampion. Vllaznia, Teuta dhe Laçi ndeshen për javën e 28-të të Superiores me tri skuadrat që luftojnë për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.

Vllaznia, pas daljes në finale të Kupës së Shqipërisë, synon të mos e humbë kontaktin me kreun dhe për këtë i duhet të fitojë në Fier ndaj një Apolonie me shanse minimale për të qëndruar në kategori dhe me disa lojtarë jashtë skuadre për zgjedhje teknike të stafit, apo edhe për pezullim nga ana e drejtuesve të klubit. Shkodranët shkojnë në këtë transfertë me entuziazmin e fitores ndaj Laçit në mesjavë dhe pritet që të kthehen me pikët maksimale nga “Loni Papuçiu”.

Foto ilustruese. Sota i Apolonise dhe Kruja i Vlalznise. Gazeta Si, 18 prill 2021

Teuta ndeshet sërish me Skënderbeun pak ditë pas eliminimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë nga korçarët. Këtë herë ndeshja zhvillohet në fushën e Skënderbeut, që po kalon një moment shumë të mirë dhe kërkon pikë mbijetese. Sigurisht, nuk do të jetë e njëjta ndeshje, pasi durrsakët duhet t’i kenë marrë masat për të mos u ndëshkuar dy herë radhazi.

Laçi pret Bylisin dhe është “i dënuar” të fitojë për të mos humbur më shumë terren në renditje. Humbjet e fundit e kanë larguar nga kreu dhe tashmë objektivi minimal është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Renditja e Superiores kryesohet nga Partizani me 50 pikë, i ndjekur nga Teuta me 49 pikë.

Superiore, java e 28-të
Të shtunën
Kukësi-Tirana 2-2
Partizani-Kastrioti 3-1
Sot
Skënderbeu-Teuta
Apolonia-Vllaznia
Laçi-Bylis


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë