Politike

Vëzhgimi / Facebook u ka “ulur qepenin” e zyrave elektorale të partive

Partitë politike kanë hyrë në kilometrin e fundit në garën për 25 qershorit, por duke se deri më tani pak entuziazëm e optimizëm kanë nxitur te qytetarët. Ndoshta pjesërisht prej kufizimeve për shkak të pandemisë dhe ndoshta pjesërisht mosbesimi i qytetarëve tek klasa politike i ka nxjerrë pothuajse plotësisht jashtë funksionit zyrat elektorale në terren që hapen nga partitë politike rëndom para fushatës.

Gazeta “Si” kreu një vëzhgim në disa zyra elektorale të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të hapura në Tiranë. E përbashkëta është se në të trija këto atmosfera është e vakët dhe as që i afrohet entuziazmit “të fitores” që udhëheqësit e këtyre partive shpalosin përmes rrjeteve sociale, apo deklaratave dhe intervistave televizive.

Nga vazhgimi i kryer nga Gazeta “Si”, duke nisur nga Kombinati, Yzberish, ish-Fusha e Aviacionit, Laprakë e ish-Blloku, panorama që shfaqej ishte e njëjtë; dyert e zyrave elektorale qëndrojnë hapur, por tek to hyjnë shumë pak qytetarë.

Në pjesën dërrmuese, personat që qarkullojnë në këto zyra janë qytetarë të angazhuar në fushatë. Ky ishte konstatimi i gazetës nga vëzhgimi dyditor që kreu. Interesimit të shfaqur prej gazetës për të mësuar më shumë mbi aktivitetin elektoral përfaqësues të të trija zyrave elektorale e argumentonin mungesën e qytetarëve jo me mungesën e besimit te partitë, as me kufizimet e pandemisë.

“Ka ndryshuar fushata, tani jemi ne që i shkojmë qytetarit e takojmë në lagje, në shtëpi. Entuziazëm dhe optimizëm fitoreje ka, nuk është se s’ka”. Kjo është një përmbledhje e përgjigjeve që të mbërrijnë nga përfaqësuesit e PS, PD e LSI në këto zyra elektorale.

Asnjë prej përfaqësuesve në terren të tri partive kryesore nuk pranon argument tjetër për mungesën e qytetarëve në këto zyra. Pjesën më të madhe të kohës, këta persona i sheh duke folur në telefon, duke shkruar mesazhe, apo duke u shpërndarë kalimtarëve të rastit pranë zyrave fletë-palosje me arsyetimin se përse duhet të votojnë partinë e tyre.

Nën zë të gjithë e pranojnë se ndryshe nga fushatat zgjedhore të së shkuarës ka një indiferentizëm më të lartë të qytetarëve. “S’ka më si përpara. Tani fushatën e bën Facebook-u”.

Po atyre pak qytetarëve që ndalojnë në këto zyra, çfarë u ofrohet? Mënyra e funksionimit të zyrave elektorale në këtë pjesë është thuajse identike. Pasi qytetarit të interesuar i merren të dhënat, si adresë banimi, statusi civil dhe numri potencial i votave, përcillet me fletëpalosjet me përmbajtjen kryesore të programit elektoral dhe optimizmin e buzëqeshjen e fitores më 25 prill.

Për dallim nga zyrat e PS, në zyrat e PD dhe LSI-së ka edhe një udhëzim për të nxitur qytetarët që të dalin të votojnë dhe një planveprimi në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj për atë që opozitarët e quajnë mbrojtje të votës.

“Nuk mjafton vetëm marrja e votës, ajo edhe duhet mbrojtur. Prandaj ne u bëjmë thirrje vazhdimisht qytetarëve që të denoncojnë çdo përpjekje për manipulim të zgjedhjeve”, thonë nga zyra elektorale e PD në Yzberish.

PS garon e vetme në këto zgjedhje, ndërsa PD e LSI hyjnë me një marrëveshje koalicioni paszgjedhor. E në terren duket se reflektohet kjo marrëveshje dhe rastësisht apo produkt i një koordinimi zyrat elektorale të këtyre dy partive mundohen që të shmangin përplasjet gjatë fushatës. “Qëllimi është që të flasim me sa më shumë qytetarë, sepse në këtë moment sfida jonë është e përbashkët; largimi i Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë