Aleksei Navalni do të transferohet në repartin e spitalit të kolonisë penale IK-3 të Shërbimit Penal të Federatës Ruse (FSIN) në rajonin Vladimir, i cili është i specializuar në monitorimin mjekësor të të paraburgosurve.
Lajmi u bë i ditur nga shërbimi për shtyp i FSIN. Sipas shërbimit të burgut, kushtet e Navalnit, janë “të kënaqshme”. Struktura mjekësore, përcaktohet si “spital rajonal për të burgosurit”.
Sipas FSIN, Navalni “shihet çdo ditë nga një mjek i përgjithshëm” dhe “me pëlqimin e pacientit, atij i është përshkruar terapi me vitamina”. Por stafi i kritikut më të ashpër të Putinit, është i pa kënaqur.
“Transferimi në koloninë penale IK-3 është një transferim në të njëjtën koloni torturash, vetëm se është një spital i madh, ku transferohen të sëmurët rëndë”, – shkroi Ivan Zhdanov, drejtori i Fondit Anti-Korrupsion në Twitter.
“Ky është një fakt që kushtet e Navalnit janë përkeqësuar aq shumë, sa edhe burgu i torturave e pranon atë. Është mjaft e qartë, se tani po na jepet një lloj ‘lajmi i mirë’ për gjendjen e Alekseit para protestës. Mos u mashtroni: ne mund të marrim informacion të vërtetë vetëm nga avokatët”, – vijoi ai.
Aleatët e 44-vjeçarit rus, kanë thirrur një protestë kombëtare për të mërkurën 21 prill, ditën në të cilën presidenti Vladimir Putin do të mbajë fjalimin e tij vjetor për kombin.
Ministria e Brendshme Ruse, megjithatë, nxiti qytetarët të mos marrin pjesë në protestën e paautorizuar dhe deklaroi se policia “nuk do të lejojë një destabilizim të situatës dhe se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur rendin në rajonet e vendit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje