Zibi Boniek, ish-sulmuesi i famshëm dhe aktualisht president i Federatës Polake të Futbollit, ka komentuar për “Rete Sport” çështjen që ka pushtuar futbollin botëror, krijimin e Super Ligës: “Pozicioni ynë si federatë është i ngjashëm me atë të të tjerave: Super Liga nuk është një kompeticion futbollistik i hapur për të gjithë klubet, është një kompeticion privat i organizuar nga një grup klubesh të pasur dhe nuk mund të pranohet.
Futbolli është i bukur, sepse mund të luajnë të gjithë kundër të gjithëve, sepse ka kualifikuese dhe në fund fiton kush është më i zoti, kështu do të kishim një kompeticion për të pasurit dhe disa kompeticione për të varfërit.”

Më pas, Boniek ka theksuar se dëmet nga krijimi i Super Ligës do të jenë të pallogaritshme për futbollin. “Klubet e futbollit nuk po arrijnë më t’i mbyllin si duhet bilancet, klubet big europiane janë thuajse të gjitha në një defiçit ekonomik dhe mendojnë t’i mbulojnë humbjet me përfitimet që do të sillte ky kompeticion. E vërteta është se i kanë menaxhaur keq klubet. Kur blen Ronaldon ose Mesin, e di që do të përfundosh me minus, drejtuesit e këtyre klubeve të mëdha nuk i kanë administruar në mënyrën e duhur financat.
Sigurisht, do të ketë ndërhyrje politike, mendoj se do të ndërhyjë Brukseli, duhet pritur, sepse tani gjithçka është në kaos. Është lufta e tretë botërore futbollistike, një tërmet i pabesueshëm. Dëgjova Ceferinin, foli ashpër, por lojtarët nuk janë fajtorë për këto vendime poltike. Nëse UEFA vendos t’i përjashtojë këto klube nga kupat e saj, automatikisht përjashtohen edhe nga kampionatet kombëtare. Kjo situatë mund të sjellë një dëm të madh për futbollin dhe mund të shkaktojë një efekt domino në gjithë sistemin”, – ka argumentuar Boniek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje