Futboll

Super Liga në 10 pyetje: paratë, gjyqet, sanksionet, çfarë mund të ndodhë!

Nga miliardat e garantuara për 12 klubet themeluese te hipoteza e përjashtimit të tyre nga kampionatet: të gjithë skenarët e futbollit europian.

Pse futbolli europian është ndarë?
Të dielën në mbrëmje 12 klube kanë njoftuar zyrtarisht krijimin e Super Ligës, një turne i ri “rival” i Ligës së Kampionëve, ku mund të merret pjesë pavarësisht rezultateve sportive. UEFA, federatat, ligat dhe FIFA kanë dalë kundër projektit.

6 skuadrat angleze të Super Ligës. Gazeta Si, 20 prill 2021

Çfarë është saktësisht Super Liga?
Është një kompeticion që zhvillohet në mesjavë dhe që administrohet nga 6 klube angleze, 3 italiane dhe 3 spanjolle: Arsenal, Atletiko Madrid, Barcelona, Çelsi, Inter, Juventus, Liverpul, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Milan, Real Madrid dhe Totenhem. Nuk ka skuadra nga Gjermania dhe Franca, por këtyre 12 skuadrave do t’u shtohen 3 klube të tjerë themelues. Mekanizmi i Super Ligës parashikon pjesëmarrjen e 20 klubeve, nga të cilët 15 themelues, kurse 5 të tjerë do të futen falë “Wild card”. Skuadrat do të ndahen në 2 grupe me nga 10: luhet me sistemin vajtje-ardhje dhe në çerekfinale dalin 3 të parat e çdo grupi. Vendet 4 dhe 5 luajnë ndeshje shtesë (vajtje-ardhje) për 2 vendet e fundit për fazën e dytë. Çerekfinalet dhe gjysmëfinalet luhen me vajtje-ardhje, kurse finalja me një ndeshje teke në fund të majit.

Sa fitojnë klubet themeluese?
Do të përfitojnë rreth 3.5 miliardë dollarë, në mbështetje të planeve të investimit në infrastrukturë dhe për ta rregulluar bilancin pas pandemisë së Covid-19. Çdo klub do të marrë nga 100 deri në 350 milionë menjëherë, të financuara nga banka amerikane JP Morgan. Çmimet vjetore do të jenë mes 55 dhe 250 milionëve për klubet dhe vetëm 20% e këtij thesari do të varet nga rezultatet.

Kur do të nisë kompeticioni i ri europian?
Datat zyrtare ende nuk janë zbardhur: klubet, sipas asaj që është publikuar në njoftimin zyrtar të së dielës në mesnatë, duan të nisin sa më parë. Realisht mendohet që aktiviteti të fillojë në gusht të 2022-shit.

Çfarë do të bëhet me Ligën e Kampionëve?
UEFA ka miratuar një format të ri të kompeticionit. Nga sezoni 2024/25 do të kalohet nga 32 në 36 skuadra dhe do të ndryshojë faza tradicionale e grupeve. Do të jetë si një lloj kampionati: çdo klub do të luajë minimumi 10 ndeshje me 10 kundërshtarë të ndryshëm (5 në shtëpi dhe 5 në transfertë).

Liga e Kampionëve ndryshon formatin duke nisur nga viti 2024. Gazeta Si, 20 prill 2021

UEFA, federatat dhe ligat kërcënojnë me sanksione, çfarë do të ndodhë tani?
Përballja është totale. Të dielën, pas zyrtarizimit të Super Ligës, UEFA dhe ligat kanë dalë me një komunikatë të fortë: “Jemi të bashkuar për të ndalur këtë projekt cinik, një projekt që bazohet tek interesat personale të pak klubeve në një kohë kur shoqëria ka nevojë për solidaritet”. Kështu, kush merr pjesë në Super Ligë, mbetet jashtë kompeticioneve të tjera. UEFA dhe 12 klubet kanë nisur punën tashmë me avokatët dhe kjo betejë mund të vendoset nga Bashkimi Europian.

A mund të luhet Seria A pa Interin, Milanin dhe Juventusin?
Rreziku është. Klubet themeluese të Super Ligës kanë thënë se kalendari i takimeve në nivel kombëtar do të mbetet në zemër të kompeticioneve: nuk ka vullnet për t’u shkëputur nga kampionatet. Por mes sanksioneve për ata që kanë aderuar në Super Ligë është edhe përjashtimi nga kampionatet. Për Serinë A është në lojë edhe çështja e të drejtave televizive, që sapo i është shitur “Dazn” për 840 milionë euro: kampionati do të vlente kaq shumë pa Interin, Milanin dhe Juventusin?

Në Europian dhe në Botëror nuk do të jenë lojtarët e klubeve të Super Ligës?
Një tjetër sanksion i mundshëm është ky: lojtarët e 20 klubeve rebele rrezikojnë të mos u përgjigjen grumbullimeve me kombëtaret dhe kështu do të përjashtohen automatikisht nga turnetë e tjerë zyrtarë, Botërori dhe Europiani.

Kush do të arbitrojë në Super Ligë?
Turneu i ri do të krijohet i gjithi nga e para. Dhe në këtë rast nuk përjashtohet fakti që të nisë fushata e afrimit të arbitrave më të mirë që drejtojnë si pjesëtarë të UEFA-s.

Topi i basketbollit të Euroligës. Gazeta Si, 20 prill 2021

Po krahasohet Super Liga me NBA-në: a është e drejtë?
Ndoshta është më mirë të bëhet një paralele mes turneut të ri dhe Euroligës së basketbollit. Që nga 2016-17-a luhet me një grup të vetëm me 18 skuadra. Nga këto, 11 kanë një licencë permanente dhe janë edhe pronare të Euroligës. Tre klube kanë licencë plurienale dhe vendet e tjera jepen nëpërmjet promocionit të “Eurocup” dhe “Wild card”. Luhet gjatë javës dhe të gjitha skuadrat marrin pjesë edhe në kampionat: sezoni i rregullt i dy kompeticioneve parashikon 64 ndeshje në total.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë