Ne rrjet

Franca nis përdorimin e certifikatave të vaksinimit

Franca është bërë shteti i parë anëtar i BE që ka testuar certifikatën digjitale të vaksinimit, për t’i hapur rrugë përdorimit të saj në të gjithë Europën.

Aplikacioni TousAntiCovid është azhurnuar për të ruajtur rezultatet negative të testeve për Covid-19 në celularët e udhëtarëve dhe po provohet në fluturimet për në Korsikë duke filluar nga kjo javë.

“Testimi do të zgjatet nga 29 prill për të përfshirë certifikatat e vaksinimit”, thanë zyrtarët për Le Monde, dhe sistemi do mund të miratohet edhe për ngjarje publike të tilla si koncerte, festivale dhe panaire tregtare, por jo për bare dhe restorante.

“Testimi do të çojë më pas në standardizimin e tij në të gjithë Evropën, tha ministri për tranzicionin dixhital, duke thënë se BE kishte nisur me bisedimet edhe me linjat ajrore për të siguruar njohjen e këtyre certifikatave.

Komisioneri Europian për drejtësinë, Didier Reynders, tha javën e kaluar ai priste që “certifikata e gjelbër dixhitale” e BE të hynte në përdorim të plotë deri më 21 qershor. Certifikata është një përparësi urgjente për vendet anëtare të Europës Jugore, ekonomitë e të cilave janë shkatërruar nga pandemia.

Skema nuk është quajtur “pasaportë vaksinimi” për të shmangur diskriminimin ndaj njerëzve që nuk janë vaksinuar.

Certifikata do të bëjë të mundur që udhëtarët mos të kenë nevojë për karantinë dhe do t’u lejojë udhëtarëve të tregojnë nëpërmjet telefonit se janë vaksinuar, janë testuar ose kanë antitrupa pasi e kanë kaluar Covid-19.

Në Francë, njerëzit që do të bëjnë tamponin nga e marta do të marrin një mesazh me tekst ose email duke u dhënë qasje në një aplikacion certifikuar nga shteti, TousAntiCovid, që mund të shkarkohet.

E njëjta gjë do të zbatohet për ata që vaksinohen nga java tjetër, të cilëve po ashtu do t’u regjistrohet emri në aplikacion. Rezultatet e testit të antitrupave duhet të përfshihen në një fazë të mëvonshme.

Aplikacioni do të gjenerojë një kod të sigurt QR që përmban një sërë informacioni duke përfshirë emrin, datën dhe llojin e testit ose vaksinës së tyre, dhe detajet e mjekut ose laboratorit përkatës.

Disa shtete anëtare të BE janë duke zhvilluar sisteme të ngjashme, duke çuar në shqetësime se përdorimi i certifikatave të vaksinimit nuk do të jetë i unifikuar. Mbikëqyrësit e privatësisë të BE-së gjithashtu paralajmëruan në fillim të këtij muaji se certifikatat e vaksinimit duhet të respektojë ligjet e mbrojtjes së të dhënave dhe “të ketë një bazë të përshtatshme ligjore” në secilin shtet anëtar.

Javën e kaluar Danimarka filloi të provonte Coronapas-in e saj, të disponueshëm për njerëzit që janë vaksinuar. Skema daneze aktualisht lejon përdoruesit të kenë qasje në biznese jo thelbësore si parukeri, sallone bukurie dhe autoshkolla, por qeveria ka thënë se synon të zgjerojë skemën për të përfshirë muze, teatro, kinema dhe restorante.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë