Nga Mumbai në Nju Delhi, koha është shënuar përsëri nga sirenat e ambulancës dhe kortezhet e varrimit. Në mediat sociale, videot e funeraleve në varrezat super të mbushura me njerëz, thirrjet e dëshpëruara për tamponë, oksigjen dhe shtretër në spitalet që po mbingarkohen, janë duke u ndezur. Shumë ilaçe tani gjenden vetëm në tregun e zi.
“Këtu po përjetojmë një tragjedi të dimensioneve epokale. Nuk ka vende në spitale, pa oksigjen dhe pa vaksina”, – raporton Manish Tewari, një deputet i opozitës, në “Twitter”.
India, e cila deri vonë befasoi botën duke zbutur pandeminë, kur që dukej se kishte arritur imunitetin e tufës para vaksinimit masiv, është bërë vendi ku virusi po përhapet më shpejt.
Një përshpejtim i papritur: në vetëm dy javë, nga fundi i marsit, deri në mes të prillit, India ka kaluar nga më pak se 15,000 raste të reja në ditë, në mbi 200,000.
Si mund të arrihej në 1.6 milionë infeksione javën e fundit, kur vetëm në fillim të marsit, Ministri Indian i Shëndetësisë, Harsh Vardhan, siguroi triumfalisht se pandemia në vend ishte “në fund të garës” dhe citoi udhëheqësin Narendra Modi, si një “shembull për botën e bashkëpunimit ndërkombëtar” (në janar, India ishte në krye të “diplomacisë së vaksinave”).

Optimizmi ishte bazuar në numra ngushëllues: në mes të shkurtit, rastet kishin rënë në 11 mijë në ditë, nga 93 mijë në shtator, vdekjet ditore nuk shkonin as në 100 me një popullsi prej 1.3 miliardë njerëz.
Ka të paktën tre arsye që mund të shpjegojnë këtë rritje në rastet që po e gjunjëzojnë vendin. E para: në fund të shkurtit, një fushatë e ngushtë elektorale, me takime oqeanike (dhe disa maska), në funksion të votimit që përfshin 186 milionë qytetarë në pesë shtete.
Këtu, përfshihet Uttar Pradesh, më i populluari dhe ndër më të prekurit në vend. Më 6 prill, 800,000 njerëz morën pjesë në një takim të mbajtur nga kryeministri Modi në Bengalin Perëndimor dhe shumë pak prej tyre kishin maska.
Për t’i dhënë një shtytje të fortë përhapjes së infeksioneve, së dyti, kanë “ndihmuar” tubimet e mëdha sportive dhe fetare: nga sfida e kriketit midis Indisë dhe Anglisë në Gujarat me mbi 130 mijë tifozë në stadiumin e mbushur me njerëz, kryesisht pa maska, te miliona pelegrinë që zhyten në Ganges për Kumbh Mela: për gati dy muaj e gjysmë, me pikun prej 2.5 milionë njerëz që konvergojnë në një ditë të vetme në një qytet të vetëm, në Haridwar, në datat kryesore.
“Ajo që po ndodh, është më shumë se surreale”, – vëren Shiv Visvanathan, profesor i sociologjisë. Shkencëtarët besojnë se qeveria ka humbur plotësisht drejtimin e saj.
Përveç uljes së vigjilencës në muajt e fundit, me qeverinë që autorizon takime deri në 3 milionë njerëz, një faktor i tretë, që mund të shpjegojë “dhunën” e kësaj vale të dytë, është varianti “indian”, megjithëse autoritetet lokale tentojnë të minimizojnë fushën e tij të përhapjes dhe mungesa e të dhënave lë vend për dyshime.

Në një studim të publikuar më 15 prill në faqen e internetit të “outbreak.info”, B.1.617 (siç quhet) u gjet në 24% të indianëve të infektuar (testet e mostrave të kryera midis shkurtit dhe marsit) kundrejt 13% të variantit “britanik”.
Ndërkohë, Nju Delhi është duke u përqendruar në fushatën e vaksinimit për të zbutur virusin. Që nga mesi i marsit, ai ka pezulluar eksportin e dozave “të bëra në Indi” për të shpejtuar injektimet e brendshme, por prodhimi i dozave është në bllokuar për shkak të ndalimit të furnizimeve të lëndëve të para nga SHBA-të.
Tani mund të vijë një pikë kthese: administrata e Bidenit, do të ishte e gatshme të pezullonte bllokadën e eksportit të substancave për vaksinat, sipas lajmeve të raportuara nga “Reuters” pas një samiti indiano-amerikan.
Por ndërkohë, virusi po godet shumë në vend. Të dielën kishte mbi 270,000 raste dhe më shumë se 1,600 vdekje.
Kulmi duket ende larg: sipas parashikimeve nga revista shkencore “The Lancet” për Covid-19, në qershor mund të kalohet shifra 2,300 vdekje në ditë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje