Super Liga lindi dhe vdiq pas vetëm 48 orësh. Projekti i dëshiruar dhe zyrtarizuar nga Florentino Perez dhe Andrea Anjeli është mbytur pasi krijoi polemika në të gjithë botën. Super Liga është detyruar të ngrejë flamurin e bardhë, pas braktisjes nga skuadrat angleze dhe një mbrëmjeje shumë të trazuar.
“Jemi të detyruar të punojmë për të riformuluar projektin, – është thënë nga përfaqësuesit e Super Ligës. – Duam të propozojmë një kampionat të ri europian, sepse sistemi aktual nuk funksionon”.

Pas vendimit, Superliga doli me një komunikatë zyrtare, ku shkruan: “Super Liga është e bindur se “status quo”-ja aktuale e futbollit europian duhet të ndryshojë. Propozimi ynë është që ta lejojmë sportin të ecë përpara, duke gjeneruar burime financiare dhe stabilitet për gjithë piramidën futbollistike, si dhe duke ndihmuar për të kapërcyer vështirësitë financiare të gjithë komunitetit për shkak të pandemisë.
Ky propozim do të sillte pagesa solidariteti më të mira për të gjitha palët e interesuara të futbollit. Klubet angleze u tërhoqën për shkak të presionit të madh ndaj tyre, por ne jemi të bindur se propozimi ynë është i bazuar plotësisht në ligje dhe rregullore europiane, sic është vërtetuar sot nga një vendim gjykate për mbrojtjen e Super Ligës nga palët e treta. Duke parë rrethanat, do të rimodelojmë projektin, duke pasur gjithmonë si qëllim t’u ofrojmë tifozëve tanë dhe gjithë futbollit kushte më të mira.”
Vendimin e ka përshëndetur edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili ka thënë se do të punohet për rindërtimin e unitetit të futbollit. Pronari i Liverpulit u ka kërkuar falje tifozëve dhe skuadrës, ndërsa shtypi botëror e ka konsideruar një turp krjimin e Superligës dhe ka kërkuar me forcë bllokimin e saj, që tashmë ka ardhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje