Maqedonia e Veriut do t’i marrë vaksinat që ka porositur sipas kontratës së lidhur me Rusinë, nga Serbia. Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se do të lidhë një marrëveshje me autoritetet shëndetësore serbe për furnizimin me vaksinën ruse Sputnik V, e cila do të prodhohet në Serbi, duke nisur nga maji.
“Mbi 15 mijë maqedonas janë vaksinuar deri tani në Serbi”, tha të mërkurën ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar pas një takimi në Beograd me ministrin maqedonas Venko Filipçe. “Qytetarët nga Maqedonia e Veriut kanë marrë kryesisht doza të AstraZaneca-s, të cilat në Maqedoninë e Veriut nuk u jepen personave nën 60 vjeç. Më e pakta që mund të bëjnë, është që t’u sigurojmë rivaksinimin këtyre qytetarëve nga vendi fqinj”.
Ministri serb theksoi po ashtu se Beogradi është i gatshëm të furnizojë me vaksina gjithë Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se Serbia do të mund të prodhonte mjaftueshëm doza për të gjithë rajonin.
Filipçe qëndroi në Institutin “Torlak” ku prodhohen vaksinat ruse, duke njoftuar se “ky institut të jetë partner strategjik për furnizmin me vaksina të Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës që vjen”.
Kompania farmaceutike ruse Generium, prodhuesi i vaksinës, ka përfunduar transferimin e teknologjinë dhe për të ndihmuar trainimin e personelit për prodhimin e vaksinës në Serbi. Serbia është bërë kështu vendi i parë në Europë që fillon prodhimin e vaksinës ruse Sputnik V. Vaksina në një fazë të mëvonshme do të eksportohet edhe në vende të tjera të rajonit.
“Serbia është bërë vendi i parë në evropën jugore që prodhon Sputnik V” tha fondi rus për investimet direkte që mbështet financimin e vaksinës. Prodhimi do të fillojë më 20 maj. “Shkalla e vaksinimit mund të rritet në mënyrë domethënëse falë prodhimit lokal”, tha shefi ekzekutiv i fondit rus të investimeve direkte Kirill Dmitriev në një deklaratë. Vaksina mund të eksportohet edhe në vende të tjera të rajonit në një fazë të mëtejshme”, tha fondi.
Ndërkohë, duke e prezantuar si gjest mirënjohjeje ndaj Serbisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që të heqë taksën rrugore për qytetarët serbë t’i lirojë nga 15 qershori deri më 15 gusht.
Pandemia në Maqedoninë e Veriut ka nisur të qetësohet në javën e fundit, sipas njoftimeve të Institutit të Shëndetit Publik, por shkalla e vdekshmërisë megjithatë mbetet e lartë. Deri tani jetën e kanë humbur 4,500 njerëz.
Pandemia ka ndikuar edhe në sferën politike. Së fundmi, dy deputetë të shumicës parlamentare të diagnostikuar me Covid-19 dhe të vendosur në izolim, janë detyruar të shkojnë në parlament, të veshur me veshje speciale kundër virusit, për të votuar paketën ekonomike të qeverisë që u mundësonte pagesën për muajt mars dhe prill mijëra punëtorëve dhe ndërmarrjeve që pësuan probleme nga pandemia. Kjo shkaktoi përplasje midis opozitës maqedonase dhe pushtetit dhe mjaft reagime në opinionin publik. Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE e quajti përpjekje për “terrorizëm biologjik” lejimin e dy ligjvënësve brenda godinës së parlamentit. Opozita ka ngritur kallëzim penal kundër Kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi dhe dy ligjvënësve Bisera Kostadinova Stojçevska dhe Mirosllav Bogdanovski për shkeljen e urdhrit për izolim
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje