Politike

BE premton konferencën ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë në qershor

Pas një vit pritjeje, Bashkimi Europian ka vendosur si afatin e fundit për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në muajin qershor, duke i dhënë dritën jeshile hapjes së kapitujve të anëtarësimit,

Presidenca portugeze shpreson që hapja zyrtare e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të bëhet para fundit të kësaj presidence, në fillim të verës.

Deklarata erdhi nga Ana Paula Zacarias, sekretare e shtetit të Portugalisë për çështjet europiane pas takimit të ministrave të Bashkimit Europian për çështjet europiane me videokonferencë, të cilët kanë diskutuar edhe për politikën e zgjerimit. Por presidenca portugeze nuk jep garanci që kjo mund të ndodhë brenda qershorit dhe tregohet e kujdesshme mbi këtë pikë, duke artikuluar qartësisht togfjalëshin “nëse është e mundur”.

“Ne e kemi diskutuar procesin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga shtetet anëtare, mund t’ju them, se të gjithë duan që të shohin avancim dhe presidenca ka komunikuar me shtetet kandidatet dhe shtetet anëtare me mbështetjen e Komisionit Europian dhe veçanërisht komisionerit Varhelyi. Ne kemi diskutuar gjithashtu me autoritetet e Bullgarisë. Siç e dini, ka patur një proces zgjedhor në Bullgari, që është zhvilluar së fundmi. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët për të parë, nëse mund të arrijmë rezultatin e dëshirueshëm lidhur me mbajtjen e konferencave të para të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë presidencës tonë . Që në janar ne kemi shprehur ambicien tonë për të shprehur qëndrimet e përgjithshme të Bashkimit Europian dhe mbajtjen e konferencave me dy vendet gjatë presidencës tonë nëse është e mundur”, ka thënë Ana Paula Zacarias, sekretare e shtetit të Portugalisë.

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhely ka bërë po ashtu përpjekjen e radhës për të bindur Ministrat e Jashtëm të BE-së që të arrijnë sa më shpejt konsensus në miratimin e kornizave negociatore me Tiranën e Shkupin brenda datës 1 Korrik kur përfundon mandatin presidenca portugeze.

“Ne diskutuam për hapjen sa më shpejt të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mund t’ju konfirmoj se në vija të përgjithshme të gjitha shtetet anëtare të BE-së duan të shohin lëvizje në këtë drejtim. Ne kemi diskutuar me autoritetet bullgare për të zhbllokuar procesin pasi atje ka ende debate në krijimin e qeverisë së re, po shpresojmë që arrijmë që brenda presidencës portugeze, të marrim një vendim pozitiv”.

“Ne do shtojmë përpjekjet që kuadri negociator me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe konferencat e para ndërqeveritare do të miratohen përpara përfundimit të presidencës portugeze më 1 Korrik, pasi të gjitha kushtet janë plotësuar”.

Ministrat e çështjeve europiane të Bashkimit Europian janë ndalur te përgatitja e takimit të qershorit, ku pritet të aprovohen tre boshte kryesore lidhur me zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit.

“Ne shpresojmë që në Këshillin e çështjeve të përgjithshme të muajin qershor të mund të aprovojmë rregulloren për instrumentin e para anëtarësimit IPA III. Shpresojmë që kjo rregullore të mund aprovohet me Parlamentin Europian sa më shpejt të jetë e mundur. Që në janar, ne kemi thënë të njëjtën gjë : « Dëshirojmë aplikimin e metodologjisë të rishikuar të zgjerimit për procesin e anëtarësimit për Malin e Zi dhe Serbinë, përmbushjen e mandatit të dhënë në konkluzionet e Këshillit, si dhe të angazhohemi në këtë proces me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka theksuar Ana Paula Zacarias.

“Në fund të presidencës sonë shpresojmë të fillojnë konferencat ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha sekretarja shtetërore portugeze.

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç, shtoi po ashtu se po bën gjithçka që është e mundur që deri në fund të presidencës portugeze, më 30 qershor, të miratohet korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

“Për Komisionin Evropian të gjitha kushtet janë përmbushur nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe duhet të punojmë për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare”, deklaroi Shefçoviçi.

Muajin e kaluar, 9 ministra të Jashtëm të BE-së i bënë thirrje kryediplomatit Josep Borrell, që të zhvillohet një diskutim strategjik për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave ndërqeveritare me Tiranën dhe Shkupin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë