Ndërhyrja e Policisë Bashkiake të Fierit në heqjen e një banderole gjigante të LSI-së të vendosur në një ndërtesë në qendër të qytetit ka nxitur reagimin e kandidatëve për deputetë dhe mbështetësve të kësaj partie.
Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, që më 25 prill kandidon si e dytë në listën e kësaj partie në Qarkun e Fierit, fill pas Monika Kryemadhit, akuzoi Bashkinë e Fierit se po shkelte ligjin.
Debati degjeneroi në një moment edhe në përlashje fizike mes mbështetësve të LSI-së dhe punonjësve të Policisë Bashkiake të Fierit në ambientet e brendshme të policisë.
Mehmetaj akuzon se policia bashkiake ka hequr banderolat e LSI-së dhe vendosur të Partisë Socialiste duke shkelur ligjin.
Në lidhje me këtë përplasje ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.
“U bëj thirrje kandidatëve të LSI në Fier të mos bien pre e provokimeve të Policisë Bashkiake për çështjen e banderolave dhe ta tejkalojnë me urtësi këtë moment. Ndërsa po u prek një votë ditën e votimeve t’i mprehin sfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t’i ndjekim këmba-këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”, shkruan Presidenti.
Banderola e LSI-së ishte e vendosur pranë skenës që po ngrihej nga Partia Socialiste në qytetin e Fierit, ku pasditen e së mërkurës, Kryeministri Edi Rama do të mbyllë fushatën në këtë Qark.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje