Politike

Protagonist i ngjarjeve në Libofshë, Petro Koçi: Ilir, vetëm ty nuk të rrahën horrat e PD

Presidenti Ilir Meta u kthye vite pas në kohë për të kujtuar procesin zgjedhor të Komunës së Libofshës të vitit 1994, ku grupe të lidhura me qeverinë në atë kohë dhunuan qytetarë, komisionerë e deri edhe deputetët e Partisë Socialiste.

Ilir Meta, në atë kohë deputet i PS-së dhe kryetar i FRESSH-it së bashku me deputetët e tjerë socialistë Ylli Bufi, Musa Ulqini, Ndre Legisi, Namik Dokle, Shaqir Vukaj dhe kreu i degës së PS-së së Fierit në ato ditë, Petro Koçi ishin në Libofshë. Të gjithë këta u vunë nën rrethim nga një grup personash, që vonë PS do t’i identifikonte si banda të partisë në pushtet. Imuniteti i deputetit nuk i mbrojti nga dhuna.

Dhuna dhe presioni i bandave shkaktoi si reaksion kundërpërgjigjen e qytetarëve të Libofshës burra e gra, që në disa episode janë përleshur me këto grupe ditën e zgjedhjeve.

Meta e risolli këtë episod për të ilustruar se çfarë përgjigje do të marrin, sipas tij, çdo përpjekje për të manipuluar procesin zgjedhor. Por, një tjetër protagonist i atyre ngjarjeve akuzon Presidentin se që në ato ditë ka bashkëpunuar me Sali Berishën.

“Ilir Meta mos e zër në gojë Libofshën! Sepse ditën e masakrës mbi ne të gjithë, horrat e PD çuditërisht vetëm ty të kursyen, se qysh atëherë i shërbeje Saliut!”, shkruan Petro Koçi përmes rrjeteve sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë