Nëse evropianët nuk kanë mundësi të bëjnë krahasime me luftën, gjë që ata nuk e dinë, në Sarajevë e bëjnë këtë. Boshnjakët gjithnjë kanë qenë ushqim për “top”. Dhe të bombarduar, siç janë nga ankthet pandemike, nuk kanë pasur kohë të mendojnë për tragjedinë e tyre.
Numrat më të fundit nga situata e Covid-19, janë më keq se ato të luftës së vitit 1992: në Sarajevë, mesatarisht, më shumë njerëz vdesin çdo ditë nga epidemia (18.5) sesa ata që u vranë nga snajperët serbë (3.8).
Pas Hungarisë, Bosnja është e dyta në botë sa i takon përqindjes së vdekjeve për 100 mijë banorë. Dhe nëse “rrethimi” nga koronavirusi do të zgjasë katër vjet, aq sa qëndruan trupat e Millosheviçit, me këto ritme do të kishte një spastrim tjetër etnik.
Me paradoksin që, sot, janë kryesisht serbët ata që shpëtojnë Bosnjën: ata dhurojnë vaksina dhe i lënë armiqtë e së kaluarës të shkojnë në Beograd, për t’u vaksinuar me “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.
Po Sarajeva? Shtetrrethimi fillon në orën 9 të mbrëmjes, si në vitet ‘90 dhe sheshi kryesor i kryeqytetit është i zbrazët, si dikur, kur nuk mund të dilte asnjë në rrugë për shkak të të shtënave.
Sigurisht, janë edhe më mirë se mbyllja totale e vitit të kaluar: tani disa xhami janë të hapura dhe në këtë muaj të Ramazanit, familjet mund të mblidhen për iftar për vaktin e mbrëmjes.

Por, “më duket se po rishoh një film dhe po kthehem në skenën fillestare”, – thotë Slobodan Kacuca, 66 vjeç, i cili ishte drejtori i “Holyday Inn” në kohën e luftës. “Shikoni rrugët e shkretuara dhe njerëzit në radhë për bukë”, – vijon ai. Ndërkohë, kush ka shtëpi në mal, është larguar.
Dhe nëse evropianët nuk kanë mundësi të bëjnë krahasime me luftën e vërtetë, të cilën nuk e dinë, në Sarajevë e bëjnë: “Unë isha 40 vjeç mes bombave dhe është një mënyrë krejt tjetër për ta trajtuar situatën, – kujton Marko Vesoviç, poet. – Dante ka thënë, që në luftë, njeriu di të përshtatet me të gjitha rrethanat dhe në fakt unë gjithsesi dola nga shtëpia. Tani nuk mund të shkoj as në varreza për t’i dërguar gruas time lule. Unë nuk kam frikë nga Covidi, jam mësuar ta marr parasysh vdekjen. Por e kuptoj se si ndihet një i ri. Infeksionit nuk mund t’i fshihesh, duket pak si një granatë: nëse të kap, të kap…”.
Në urat e Miljackas, një banderolë shkruan: “Le të luftojmë për jetën!”. Por askush në të vërtetë nuk lufton. Nuk ka rezistencë.
Vendi është i fundit në Ballkan për numrin e vaksinave. Nuk ka asnjë ministër të Shëndetësisë, sepse paqja e Dejtonit në vitin 1995, nuk e parashikon atë. Që nga viti 2018, nuk ka një qeveri të vërtetë, sepse myslimanët, serbët dhe kroatët nuk pajtohen. Në kampet e refugjatëve, infeksionet midis sirianëve dhe afganëve janë jashtë kontrollit.
I kontestuar në shesh çdo javë, kryeministri Fadil Novaliç, po gjykohet për një histori të 100 respiratorëve të rremë, të paguar më shumë se 50 milionë euro për kinezët, të cilët pretendohet se shkaktuan vdekjen e shumë pacientëve në spitale.
Nën akuzë ka përfunduar rrjeti spitalor, i keq menaxhuar nga gruaja e fuqishme e liderit mysliman Izetbegoviç, si dhe një sistem i rënduar shëndetësor i decentralizuar në dhjetë kantone.

Repartet e spitalit po rregullohen: në enklavën e Republika Srpska, vaksinat bëhen nga doktoreshë Karaxhiç, vajza e kriminelit të luftës; në Srebrenicë, vejushat marrin doza dhuratë nga Turqia.
Mediat sociale po tërhiqen nga zemërimi, veçanërisht nëse shikojnë se mrekullia e vaksinimit vjen nga Serbia fqinje, me “gjunjëzimin” për t’i kërkuar ndihmë kryeministrit Aleksandar Vuçiç, ish-zëdhënësi i Millosheviçit.
“Ne jetojmë me lëmoshë, – shpjegon Zllatko Dzidzareviç, – kolumnist dhe diplomat. – Covid ka promovuar një klasë ambicioze sunduese që vendos jetën tonë, pa qenë në nivelin e duhur. Politikanët kanë vaksinuar veten e tyre me disa doza në dispozicion, ndërsa të moshuarit janë në radhë. Unë jam akoma duke pritur. Dhe a e dini nga kush i blenë respiratorët e famshëm kinezë? Nga një kompani e specializuar në importin e llambave!”.
“Kjo është një qeveri e paaftë”, – pajtohet Pero Sudar, peshkop: “Nuk ka asnjë planifikim emergjence”. Ai duket se nuk ka shumë besim as tek të rinjtë që po përparojnë: Benjamina Kariç, 30 vjeçe, gruaja e parë kryetare e kryeqytetit. “Unë nuk e njoh atë. Por e di se është zgjedhur nga një lojë pallati…”.
Po si u zgjodh ajo? “Ata e zgjodhën atë, në mënyrë që të mos zgjidhnin dikë si Bogiç Bogiçeviç. Ai është serb, është trim dhe gjatë luftës ka mundur të kundërshtojë Millosheviçin. Ai, po, do të kishte qenë një risi…“. ‘Ok’ për vaksinën e dhuruar nga serbët. Por jo të këmbehet me postin e kryetarit të Bashkisë së Sarajevës.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje