Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin të mërkurën që të mos e kalojë “vijën e kuqe” duke thënë se Moska do të përgjigjet me shpejtësi dhe në mënyrë të ashpër kundër çdo provokimi dhe ata që janë përgjegjës, do të pendohen.
Në një kohë krize akute në lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe Europën, me trupat ruse që janë grumbulluar pranë Ukrainës dhe udhëheqësin e opozitës Alexei Navalny në grevë urie në burg, lideri i Kremlinit përdori fjalimin e tij para kombit për të projektuar një mesazh force përballë kërcënimeve nga jashtë.
“Ne duam marrëdhënie të mira … ne nuk duam të djegim ura,” u tha Putin të para parlamentit. “Por nëse dikush i merr qëllimet tona të mira për indiferencë ose dobësi dhe synon t’i djegë ose madje t’i hedhë në erë këto ura, ata duhet ta dinë se përgjigja e Rusisë do të jetë asimetrike, e shpejtë dhe e ashpër.”
Rusia do të përcaktonte se ku qëndronte vija e saj e kuqe në secilin rast specifik, tha ai, duke krahasuar vendin me një tigër të rrethuar nga hienat.
Komentet e tij erdhën në kulmin e një fjalimi 78 minutësh të dominuar nga përgjigja e Rusisë ndaj pandemisë dhe vështirësive ekonomike.
“Disa vende kanë zakon të zgjedhin Rusinë për t’u konfrontuar pa ndonjë arsye, e kanë si një lloj sporti,” tha Putini, duke qëndruar i vetëm në një skenë të gjerë të shoqëruar nga flamuj. “Organizatorët e çdo provokimi që kërcënojnë interesat tona thelbësore të sigurisë do të pendohen sikur nuk janë penduar kurrë për asgjë”, tha ai.
Putini, i cili është 68 vjeç dhe ka dominuar Rusinë për dy dekada, nuk e përmendi Navalny.
Javët e fundit kanë shënuar një intensifikim të konfrontimit midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, të cilat janë të alarmuara nga gjendja e përkeqësuar e Navalnyt dhe nga grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime.
Javën e kaluar, Uashingtoni shtrëngoi sanksionet ndaj Rusisë lidhur me akuzat për pirateri kompjuterike dhe ndërhyrje në zgjedhje, ndërsa Republika Çeke akuzoi Moskën për shpërthimet në një depo armësh në vitin 2014. Të dyja vendet dëbuan diplomatët rusë. Rusia mohoi akuzat dhe u përgjigj poashtu me dëbime diplomatësh.
Tensionet janë rritur gjithashtu për fatin e Navalny, mbështetësit e të cilit po përpiqeshin të mblidheshin në Moskë të mërkurën në mbështetje të tij.
Dy nga aleatët më të ngushtë të Navalnyt u arrestuan të mërkurën, thanë avokatët e tyre.
“Si zakonisht, ata mendojnë se nëse izolojnë udhëheqësit, nuk do të ketë ndonjë protestë,” tha Leonid Volkov, një bashkëpunëtor i ngushtë i Navalnyt. “Sigurisht që është e gabuar”.
Putin dënoi poashtu atë që ai e quajti një “komplot puçist kundër Bjellorusisë”. Më 17 prill autoritetet bjelloruse njoftuan se kishin parandaluar një komplot të mbështetur nga SHBA, për të vrarë Presidentin Lukashenko. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se kishte arrestuar dy bjellorusë të dyshuar si të përfshirë në komplot.
Pretendimi për grusht shteti u hodh poshtë nga udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya, e cila e cilësoi këtë si provokim. Ka pasur demonstrata masive në mbështetje të saj që kur Lukashenko kërkoi rizgjedhjen vitin e kaluar, në një votim të dënuar gjerësisht si të manipuluar. Mijëra protestues u dhunuan nga policia dhe u ndaluan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje