Politike

“Basti” i fituar i Erdogan/ Hapet spitali rajonal i Fierit, Rama: S’i gjej dot bisht kësaj pune

Në një ceremoni 50 minutëshe, ministri i Shëndetësisë së Turqisë i dorëzoi në mënyrë simbolike homologes se tij shqiptare Ogerta Manastirliu çelësin e hapjes se dyerve të spitalit rajonal memorial të Fierit, i ndërtuar në kohë rekord prej 68 ditësh, një premtim i Presidentit të Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan dhënë kryeministrit Edi Rama në vizitën e tij e këtij të fundit në Ankara.

Për ndërtimin e spitalit në kohë, Erdogan ishte gati të vinte edhe një bast me Ramën në konferencën e përbashkët për shtyp që mbajtën në Ankara kohë më parë. Një bast të cilin e kujtoi vetë Rama gjatë fjalës së inaugurimit të spitalit.          

“Kemi bërë shumë mirë që i kemi ndaluar bastet, se unë sot do isha një bastexhi i humbur dhe Erdogan do ishte i fituar, por s’e vumë bastin për fat të mirë. Nuk i gjej dot bisht kësaj pune, është sukses mbi suksesin”, tha kryeministri Edi Rama.

Rama tha ndër të tjera se Shqipëria ka një sistem shëndetësor që nuk i mungojnë pajisjet dhe as burimet njerëzore dhe se tani modeli i menaxhimit turk do ta çojë atë në një modernizim 360 gradë.

Rama nuk harroi ta falënderonte Presidentit turk edhe për vaksinat kineze.  

“Sot gjyshërit nënat dhe baballarët që janë të çliruar falë atij vaksinimi masiv  ku Shqipëria ka hyrë shumë më shpjet sesa vendet e tjera që po përpëliten nga mungesa e vaksinave nuk do të ishit sot kaq të shumtë nëse nuk do të ishte miqësia e çmuar dhe shumë e sinqertë mes meje dhe presidentit të Turqisë dhe përtej kësaj dashuria, respekti dhe vëmendja e tij e posaçme për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Rama

Kryeministri shtoi se së shpejti në Shqipëri do të hapet filiali i Universitetit teknik të Stambollit një prej shkollave më të mira në Turqi.

“Vjet studentja më e mirë e atij Universiteti ndërkombëtar ishte një shqiptare. Është një nga objektivat e mandatit tonë të tretë, do të jetë dallëndyshja jonë e parë që do të lajmërojë një pranverë të re në të gjithë sistemin e arsimit të lartë” tha ai

Presidenti i Turqisë duke folur Live nga Ankaraja gjatë ceremonisë së përurimit të spitalit të ri rajonal në Fier

Një mesazh përshëndetës direkt nga Ankaraja përcolli edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan i cili e ndoqi Live gjithë ceremoninë e inaugurimit të spitalit të ri të Fierit, një investim kolosal me 150 shtretër  gjashtë salla operacioni dhe 400 anetarë personel shqiptar dhe turq.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë