Pas karantinës së pjesshme prej gati 6 muajsh, Greqia fqinje ka vendosur të hapet për Pashkë Ortodokse. Kryeministri Kyriakos Mitsotaqis njoftoi në një mesazh televiziv të mërkurën se do të hapeshin baret dhe restorantet, të cilat sigurisht duhet të respektonin masat kufizuese.
Qeveria ka vendosur po ashtu të lejojë piknikët në natyrë dhe udhëtimet në të gjithë vendin pas Pashkëve, me kusht që të mos ketë rritje të përhapjes së pandemisë, njoftoi Mitsotaqisi cili pranoi që numri i rasteve të reja të koronavirusit është stabilizuar dhe se shumica e pacientëve që tani intubohen nuk ishin vaksinuar, duke iu lutur qytetarëve që të marrin një dozë sa më shpejt të jetë e mundur.
Mitsotaqis e bëri të qartë se eksodi i zakonshëm i Pashkëve i banorëve të qytetit në fshat për të takuar familjarët e tyre nuk do të lejohet, për të dytin vit radhazi.
Por, të hënën e Pashkëve, 3 maj, restorantet, baret dhe kafenetë do të lejohen të hapen, por klientët do të duhet të ulen jashtë. Një javë më vonë, më 10 maj, shkollat fillore dhe të mesme do të rihapen dhe, më 15 maj, udhëtimet nga rajoni në rajon do të lejohen përsëri, një afat që përkon me fillimin e sezonit turistik. Por dëri atëherë, Greqia do të vazhdojë të mbajë të mbyllur kufijtë për vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Qeveria ka vënë si kusht për lirimin e masave kufizuese vetë-testimin e qytetarëve, sidomos punonjësve në sektorin e hotelierisë, studentëve dhe për vizitorëve të pa vaksinuar. Mitsotaqis përmendi vaksinat, vetë-testimin dhe motin më të ngrohtë si “armët e mëdha” të vendit fqinj.
Të mërkurën, Greqia regjistroi 3.015 raste të reja me koronavirus dhe 86 vdekje, ndërsa 831 pacientë u intubuan. Sistemi Kombëtar i Shëndetit është ende nën presion, gjë që ka çuar në marrjen nën kontroll nga shteti të disa klinikave private.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje