Ndërsa kryeministri Edi Rama po mbyllte fushatën për Tiranën në Sheshin “Skënderbej”, duke zhvlerësuar figurën politike të kundërshtarit të tij në këto zgjedhje Lulzim Basha, ky i fundit ndodhej në Durrës në një takim që PD-ja e përcolli si takim i Bashës me 500 socialistë të zhgënjyer.
Mesazhet e Bashës nuk ndryshuan as në këtë takim, ku më shumë se cdo gjë tjetër ai e vuri theksin tek pabarazia.
“Njësoj si shumica dërrmuese e Shqiptarëve, kanë parë se një grusht njerëzish kanë përfituar nga pushteti, janë pasuruar në mënyrë marramendëse. Edi Rama dhe një grup oligarkësh janë bërë si sheikë, në një Durrës që nuk ka bukë për familjet, nuk ka investime, por vetëm batërdisje.
Pas tërmetit të zotit këtu ra tërmeti i babëzisë. Duan t’ua braktisin trojet për mafiet e ndërtimit. Mijëra familje e kaluan dimrin e dytë në çadra për babëzinë e disa njerëzve. Për ata, taksat tuaja janë të tyre, kështu e kanë trajtuar Durrësin dhe të gjithë Shqipërinë.
A ka gjë më flagrante që doli nga një gazetar investigativ i drejtorit të Kadastrave, që tha se do të bëjmë sikur do të legalizojmë 110 mijë shtëpi, por s’do e legalizojmë.
E vënë me thonj e me mish tuaj, e të bijve tuaj në emigracion, do i gënjejnë, thonë do i legalizojmë, do të marrim votën dhe do i mashtrojnë. Kjo është e vërteta e Edi Ramës, tetë vite braktisje, 110 mijë shtëpi…”, tha Basha, i cili nënvizoi se gjendja në vend nuk ka dallim nga i majtë apo i djathtë.
“Kur po vija këtu më tha njëri po vjen prapë, po thashë, po më presin socialistët e Durrësit. Këtu janë vëllezërit dhe motrat tona. Vuajtjet kanë qenë të përbashkëta, shtypja e përbashkët, sepse siç e tha Arditi, besuan e punuan për PS dhe Edi Ramën, shiko si janë sot, të lënë pas dore, të braktisur, nën terror.
Shikojini punonjës të administratës, që robtohen për 300 mijë lekë, ndoshta edhe 700 qind mijë dhe shohin ministrat duke vjedhur miliona euro. Nga ana tjetër shohim ministrat që hanë biftekun e artë tek Nusreti për 1 mijë euro me taksat e shqiptarëve. Ne bashkë na bën vullneti, vetëdija, që Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veçse ndryshimit, e ndryshim do të ketë ditën e diel duke votuar numrin 9. Ky nuk është Durrësi i Vangjush Dakos, nuk është Durrësi i bandave, është Durrësi juaj, i qytetarisë, të djathtë e të majtë.
Më 25 prill, keni shansin, mundësinë, përgjegjësinë, ta merrni prapë Durrësin tuaj, në duart tuaj. Duke votuar me numrin 9 do e çlironi Durrësin nga keqqeverisja 8-vjeçare. Ta çlirojmë nga mungesa e investimeve”, tha ai, duke përcjellë në fund një mesazh për administratën.
“Kam një mesazh për administratën shtetërore, nga pastrueset e sanitarët, të gjithë, mësuesit, mjekët, nëpunësit, ju që zbatoni ligjin, ngrijeni kokën dhe mos kini frikë, ndryshim s’do të thotë largim nga puna. Më 25 prill dihet se koha e tij mbaron, e Edi Ramës mbaron, më 25 prill fillon koha për të gjithë Shqipërinë si e gjithë Evropa. Ne kemi një plan konkret, i punuar me kujdes, vizion…”, tha ai.
Në këtë takim folën tre socialistë të zhgënjyer. Sipas Ardit Kërtushës, Ilirjana Kucana dhe Serjan Mazreku, kësaj here duhej votuar për PD-në si shpresa për një të ardhme më të mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje