Bota

Përmbytet një gomone në Libi, dyshohet për 130 emigrantë të vdekur

Dhjetëra emigrantë janë zhdukur dhe dyshohet se janë mbytur mbi një gomone që lundronte në brigjet e Libisë. Sipas raporteve nga ekuipazhi i “Ocean Viking”, 130 persona ishin në bordin e mjetit lundrues që kishte ditë që udhëtonte në kushte të vështira detare, nga i cili, gjurmët janë humbur në veri-lindje të Tripolit.

Deri tani raportohet për 13 persona të vdekur që janë nxjerrë nga deti, por ekipet e shpëtimit thonë se e kanë të vështirë për t’i tërhequr.

“Sot, pas disa orësh kërkimi në det, frika jonë më e madhe u verifikua për fat të keq, – shpjegoi koordinatorja e kërkimi-shpëtimit në bordin e “Ocean Viking”, Luisa Albera. – Ekuipazhi ynë ishte dëshmitar i pasojave shkatërruese të fundosjes së një gomoneje. Në 48 orët e kaluara, rrjeti telefonik civil “Alarm Phone”, na ka paralajmëruar për një total prej tre gomonesh në vështirësi në ujërat ndërkombëtare pranë Libisë. Të gjithë ishin të paktën dhjetë orë larg nga pozicioni ynë kur morëm raportet: ne kërkuam dy nga këto varka, njëra pas tjetrës, në një garë me kohën dhe me det shumë të ashpër, me valë deri në gjashtë metra”.

Javën e kaluar, të paktën 41 persona kanë vdekur kur një anije migrantësh është përmbytur në gjirin e Tunizisë. Deri në këtë periudhë të vitit, më shumë se 350 persona kanë humbur jetën në rajonin e Mesdheut Qendror, pa përfshirë rastet e fundit.

Libia është vend i madh tranzit për shumë migrantë afrikanë, të cilët synojnë të kalojnë Mesdheun, për të arritur në Evropë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë