Maqedonia e Veriut ka bërë gati certifikatat e vaksinimit, në përputhje me udhëzimet e BE-së, duke u mundësuar qytetarëve të lëvizin lirshëm sapo të vendet e Bashkimit Europian të hapin kufijtë.
Certifikata vjen pak javë përpara se Greqia të hapë kufijtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 14 maj, datë që përkon edhe me nisjen e sezonit turistik. Gazeta “Si” u interesua pranë Ministrisë së Shëndetësisë se kur do jenë gati certifikatat e vaksinimit në vendin tonë, por nuk ka marrë ende përgjigje. Qeveria thotë se këto certifikata do të mund të shkarkohen nga portali e-albania pasi një qytetar të ketë marrë të dyja dozat, por puna mësohet se nuk ka përfunduar akoma. Burime nga Ministria e Jashtme konfirmon hapjen e kufijve grekë pas gati një viti mbyllje, por thonë se kushtet e sigurisë për lëvizjen e qytetarëve dhe certifikata e vaksinimit i është në dorë Ministrisë së Shëndetesisë.
Përveç datës së vaksinimit dhe emrit të vaksinës, certifikata duhet të përditësohet në mënyrë që të përbajë po ashtu të dhëna për testet seriologijike ose tamponët, në mënyrë që qytetarët të mund të udhëtojnë edhe nëse kanë fituar imunitet në mënyrë natyrale ose nuk janë të infektuar.
Autoritetet maqedonase thonë se kanë fituar në çdo certifiktaë një kod të veçantë që do t’u shërbejë qytetarëve për të udhëtuar. Përveç certifikatës për vaksinim, qytetarët që nuk janë vaksinuar do të mund të udhëtojnë me vërtetim për PCR.
“Ajo që duhet të kërkohet gjatë kalimit të kufirit është një certifikatë ose një aplikim vaksine për të cilin kemi një certifikatë të gatshme me një kod të përshtatshëm, i cili do të pranohet në të gjitha pikat kufitare. Kjo certifikatë është e gati dhe në fillim të javës tjetër të hënën do të lëshohet në mënyrë retroaktive për të gjithë personat që janë rivaksinuar. Nëse qytetarët nuk vaksinohen, kushti i dytë është një test negativ PCR. Ne kemi një listë me njëzet laboratorë të autorizuar që Komisioni ekspert i Ministrisë së Shëndetësisë dhe një pjesë e Komisionit për Sëmundjet Infektive kanë përcaktuar të punojnë në standardet e duhura dhe ato laboratorë me një test PCR, natyrisht nëse është negativ, qytetarët do të kenë mundësia për të hyrë në Greqi dhe vende e tjera, Tani jemi duke pritur për një konfirmim zyrtar, dhe natyrisht ne jemi duke monitoruar situatën epidemiologjike”, tha ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
I pyetur a do të jetë e mundur të udhëtohet jashtë vendit me një dozë të vaksinës, ministri theksoi se nuk ka ende një vendim të tillë nga Bashkimi Europian, por tha se pret të merret së shpejti.
Bashkimi Europian ka miratuar zyrtarisht nxjerrjen e pasaportave të vaksinimit , duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve që kanë fituar imunitet.
Këto certifikata, të cilat do të hyjnë në përdorim që nga fillimi i verës, do të vlejnë edhe për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe do të njohin të gjitha vaksinat kundër Covid 19. Kjo do të thotë se me nisjen e sezonit turistik, qytetarët shqiptarë do të mund të lëviznin sërish në zonën Shengen, nëse tregojnë se janë të imunizuar. Ata do të lejohen të udhëtojnë pavarësisht vaksinës që kanë marrë dhe nëse paraqesin po ashtu një test seriologjik ku tregojnë se tashme e kanë kaluar Covid-19.
Shqipëria ka nisur vaksinimin masiv me vaksinën kineze Sinovax dhe planifikon që muajt e ardhshëm të marrë në 1 milionë vaksina kineze, duke vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë aktive.
Për momentin, qytetarët e vendit tonë mund të lëvizin vetëm për arsye thelbësore, duke bërë një tampon dhe duke qëndruar në karantinë disa-ditore në vendin që mbërrijnë. Nga vendet fqinje, Greqia ka mbyllur pothuajse plotësisht kufijtë duke lejuar vetëm një numër të vogël shqiptarësh të kalojnë përmes Kakavijës, ndërsa Italia imponon një karantinë 5-ditore për qytetarët nga vendi ynë.
Deri sa të hyjnë në fuqi pasaportat e vaksinimit, shqiptarët mund të lëvizin në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, e cila është ndër të paktat vende që pranon të gjithë udhëtarët, pa karantinë dhe test negativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje