Ndjesa e Xhelal Mziut për deklaratën e bërë ditën e enjte në Dibër, ku tha se kushdo që blen votën do ta pësojë si në Elbasan, duke iu referuar këtu përplasjes me armë që la të vdekur Pjerin Xhuvanin është mirëpritur nga Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, por cilësuar si e pavlerë nga Kryeministri Edi Rama.
“Më vjen mirë që shoh një ndjesë të qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet dhe nuk duhet të përsëritet. Grupet e armatosura me logo partish politike që patrullojnë rrugët i përkasin së shkuarës, një e shkuar e shëmtuar që të gjitha duhet ta refuzojmë”, deklaroi përmes një postimi Ambasadorja Kim.
Kryediplomatja e SHBA u përsëriti thirrjen për vetëpërmbajtje dhe reflektim udhëheqësve politikë.
“Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën ose tjetrën palë, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta udhëheqin këtë rrugë të shqipërisë nga e kaluara dhe drejt një të ardhmeje më të mire”, vijoi ajo.
Por, Kryeministri Edi Rama thotë se ndjesa e kërkuar nuk vlen dhe e cilëson këtë deklaratë si fytyra e vërtetë e opozitës që kërkon të vijë në pushtet.
“Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë qindarkë! Ky është një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale, ndërsa kjo soj politike duhet të jetë subjekt i Drejtësisë Popullore në 25 prill! Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar!”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë u shpreh i bindur se përgjigja për këto thirrje do të jepet nga qytetarët më 25 prill.
“Në 25 prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre! Shqiptarë e shqiptare kudo që jeni, nga Tropoja e Kukësi në Konispol e Sarandë, nga Durrësi në Elbasan e Korçë, nga Shkodra në Lezhë e në Tiranë e Dibër, nga Berati, në Fier, Gjirokastër dhe Vlorë! Tregojeni me votën tuaj, forcën e madhe të karakterit që Shqipëria kërkon sot prej të gjithë ne, në rrugën drejt majës ku duhet të vazhdojmë të ngjitemi, për ta bërë Shqipërinë zonjën që Zoti deshi, kur i fali bujarisht bukuritë e saj përrallore”, mbylli reagimin e tij Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje