Futboll

UEFA “fal” 12 klubet rebele, cakton dy qytete të reja për ndeshjet e Europianit

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese në lidhje me 12 klubet që themeluan Super Ligën dhe më pas u tërhoqën pas dy ditësh. Një shenjë paqeje kjo me këto klube të konsideruara rebele, edhe pse është lënë një tjetër vlerësim për ta në të ardhmen.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është informuar rreth së ashtuquajturës “Super Ligë”, përfshirë edhe opsionet e mundshme në dispozicion të UEFA-s dhe hapat që ajo po mendon të hedhë në të ardhmen”, – shkruhet në komunikatë, ku nuk përmendet asnjë sanksion për 12 klubet, tashmë të braktisur edhe nga sponsori i tyre, fondi amerikan “JP Morgan”.

Ceferin, presidenti i UEFA-s. Gazeta Si, 23 prill 2021

Një pikë shumë e rëndësishme në axhendën e UEFA-s ishte ajo e Europianit. Janë konfirmuar ndeshjet në Mynih, ku në stadium do të jenë minimalisht 14.500 spektatorë. Sevilja dhe Shën Petërburgu janë qytetet e reja të zgjedhura nga UEFA për të zëvendësuar Bilbaon dhe Dublinin, që janë përjashtuar së fundi, pasi nuk jepnin garanci për praninë e tifozëve në stadiume.

“Kemi punuar orët e fundit me federatat dhe autoritetet lokale për të garantuar një ambient të sigurt dhe me atmosferë feste për ndeshjet e Europianit. Jam vërtet krenar që jemi në gjendje të kemi tifozë në të gjitha ndeshjet e futbollit në gjithë kontinentin”, – ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë