Myrto Uzuni ka fituar titullin e parë kampion në karrierë me fanellën e Ferencvaroshit, ekipit të njohur hungarez. Sulmuesi 25-vjeçar beratas ka qenë protagonist me lojën dhe 12 golat e tij. Hungaria po rezulton një vitrinë e mirë për të, ka shënuar edhe në Ligën e Kampionëve ndaj Juventusit dhe kjo ka bërë që emri i Uzunit të lakohet në merkato edhe nga klubet e mëdha. Një prej tyre është Olimpiakosi në Greqi.
“Isha duke pritur këtë moment për një kohë të gjatë, – thotë Uzuni në një intervistë për nemzetisport.hr. – Kam ëndërruar të bëhem kampion që kur isha fëmijë dhe tani erdhi koha. Jam krenar për veten, kam punuar shumë për këtë dhe fitimi i një trofeu është një përvojë e veçantë. Kam luajtur dy finale kupe, në Shqipëri dhe në Kroaci, por i kam humbur të dyja. Me Ferencvaroshin kam arritur menjëherë në majë dhe është shumë bukur”.

A keni pasur momente të vështira këtë sezon?
Po, shumë. Por nuk dorëzohem kurrë, gjithmonë kam qenë kështu. Në periudhën kur u infektova e nga Covid-19, kisha në mendje gjithmonë faktin që të festoja për titullin në fund sezonit. Mendoja çfarë do të ndodhte dhe ëndrra ime u bë realitet.
Keni festuar gjatë pas derbit?
Kemi kaluar një mbrëmje të paharrueshme, isha shumë i lumtur dhe nuk mund t’i përshkruaj vërtet ndjenjat e mia. Gjithashtu isha i kënaqur, sepse e dija që kishim bërë një punë të mirë gjatë gjithë sezonit. Ishte një sukses i merituar. Ajo natë e së martës ishte më e ëmbël. Festuam në dhomat e zhveshjes për një kohë të gjatë, bëmë foto dhe video. Më pas hëngrëm, pimë e kënduam.

Pas golit ndaj Ujpesht bëtë shenjën e 1-shit dhe 5-ës me gishta. Për kë ishte ai mesazh?
Për mikun tim më të mire, Adnan Kovaçeviç. Ai është dëmtuar, kemi biseduar shumë para derbit, ishte operuar vetëm një ditë para ndeshjes. Luan me fanellën me numër 15 dhe për këtë arsye e tregova atë numër me gishta. Ai u bë shoku im më i mirë në Hungari, gjithmonë besonte te mua, tha para ndeshjes se do ta shënoja dhe parashikimi i tij doli.
Ishit caktuar ju për të gjuajtur penallti?
Stafi na kishte caktuar mua dhe Igor Haratin. Shoku im ukrainas nuk ishte në fushë dhe e ndjeva unë ta gjuaja, e dija që nuk do të gaboja në një ndeshje sio ajo.
Pas fitimit të titullit stafi iu la dy ditë pushim, si i kaluat ato?
Unë pushova, luajta video-game, por duhet të merresha edhe me vizën, sepse kam për të shkuar në ekipin tim kombëtar pas kampionatit. Bëra vrapime të dyja ditët, nuk e lë asnjëherë stërvitjen. Të dielën kemi ndeshje me Fehérvár.

Çfarë planesh keni për në verë?
Pas kampionatit do të shkoj në Kombëtaren e Shqipërisë, sepse luajmë miqësore me Uellsin dhe me Çekinë. Më pas do të kthehem te Ferencvaroshi, pasi kemi detyrën të kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve. Futbolli është jeta ime, unë kam zgjedhur këtë jetë.
A e dini çfarë ndeshje keni në shtator?
Po, Shqipëria pret Hungarinë në Tiranë. Me shokët e mi të skuadrës, Denes Dibusz, Gergo Lovrencsics, Endre Botka dhe David Siger, do të ngacmojmë njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Hungaria ka një ekip të mirë, ashtu si edhe ne. Përveç kësaj, ne luajmë futboll të ngjashëm. Do të jenë 90 minuta emocionuese dhe le të fitojë më i miri!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje