Politike

Komisioni i Jashtëm i Kongresit Amerikan, thirrje Shqipërisë për zgjedhje demokratike

Në Kongresin e SHBA, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve Gregory W. Meeks, demokrat dhe numri dy i këtij komisioni Michael McCaul, republikan, u bënë thirrje autoriteteve të Shqipërisë të garantojnë zgjedhje demokratike, pa shitblerje votash, frikësime apo dhunë.
“Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare të 25 prillit, – thanë ata në një deklaratë, – ne i nxisim autoritetet shqiptare të garantojnë që votuesit do të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre të lirë nga shitblerja, frikësimi dhe dhuna.”
“Ne gjithashtu presim që të gjithë udhëheqësit – ata aktualisht në detyrë dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme. Miqtë e Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të begatë për popullin shqiptar,” thuhet në deklaratë.
Një deklaratë të ngjashme bënë të enjten edhe krerët e Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Bob Menendez dhe Jim Risch. /VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë