Paqartësitë e Lacios për rolin e portierit titullar tashmë janë edhe më të mëdha se gjatë muajve të fundit. “Gazzetta dello Sport” ngre edhe një herë çështjen e asaj që po ndodh me portierin kuqezi Tomas Strakosha, në stol këtë sezon, dhe me kolegun e tij spanjoll, Pepe Reina.
Paraqitja e Reinës në ndeshjen me Napolin, sipas prestigjiozes italiane, ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me zgjedhjen e stafit teknik për titullarin mes shtyllave. Duke hequr mënjanë penalltinë e Insinjes, përgjegjësitë e veteranit në 4 golat e tjerë të pësuar janë evidente. Nuk ishte aspak një mbrëmje e mirë për 38-vjeçarin në stadiumin e tij të vjetër. Edhe vlera e shtuar e personalitetit të tij u duk fare pak në një ndeshje, ku Lacio u godit rëndë.

Një provë qartësisht larg pritshmërive për portierin që verën e kaluar kaloi nga Milani te Lacio si zëvendësues i Strakoshës dhe veçanërisht për të ndihmuar ekipin në ndeshjet e Ligës së Kampionëve me përvojën e tij të gjatë. Situata ndryshoi më pas, kur dëmtimet dhe Covid-19 bënë që Strakosha t’i linte vendin e titullarit dhe Reina u imponua edhe me aftësitë e tij për ta ndërtuar lojën e skuadrës nga porta. Spanjolli u bë titullar dhe Strakoshës iu desh të dorëzohej dhe të ulej në stol.
Kjo situatë ngre shumë diskutime, duke nisur nga 13 vitet më pak që portieri shqiptar ka ndaj Reinës. Nuk është vetëm një ndryshim hierarkish, por edhe një gjurmë për të ardhmen. Në sfond është kontrata e Strakoshës, që skadon pas një viti. Rinovimi, që deri pak muaj më parë dukej i sigurt, tani është vërtet një rebus. Drejtori sportiv Igli Tare vazhdon të besojë te potenciali i portierit kuqezi, që nga ana tjetër nuk ka më besimin e trajnerit Inzagi.

Në 2016-ën ky i fundit e promovoi Strakoshën si titullar, duke e njohur që nga koha kur drejtonte të rinjtë e Lacios. Në atë kohë Strakosha zuri vendin e Marketit. Tani situata është komplikuar, sepse Reina ka kontratë edhe për një vit dhe vështirë se Strakosha pranon sërish rolin e portierit të dytë. Mund të largohet, nëse vjen një ofertë e mirë, por ajo mund të vijë edhe në fundin e kontratës.
Paqartësitë që kanë lindur së fundi nga Reina bëjnë që të ketë ndoshta një rivlerësim të çështjes nga shumë aspekte. Gjithsesi, në këtë moment e ardhmja e portierit shqiptar duket larg Lacios, drejtuesit e të cilit, duke parë moshën e Reinës, duhet të kërkojnë nj portier tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje