Mateo Darmian në versionin Fabio Groso të Botërorit të 2006-ës. Përsëri ai ka firmosur një tjetër moment ikonik në “vrapin” e Interit drejt titullit kampion. Pas golit në Kaljari, Darmian ka zgjidhur një tjetër ndeshje të vuajtur ndaj Veronës dhe i ka dhënë fitoren skuadrës së Antonio Kontes.
Tek Interi ka nisur festa e titullit, që është vetëm një hap larg. Zikaltrit janë 13 pikë para vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi i kampionatit. Në fakt, ata po paguajnë lodhjen dhe tensionin, por ajo që ka rëndësi ka të bëjë me fitoret radhazi të Kontes, që barazon Leonardon e 2011-ës.
Interi luajti ndaj Veronës me titullarët, ku pas dyshes së sulmit LuLa ishin Barela, Brozoviç dhe Eriksen, ndërsa në krahë Hakimi dhe Perisiç. Lautaro Martinez gaboi i vetëm përballë portierit, po ashtu edhe Hakimi nuk gjeti pasqyrën e portës. Në pjesën e dytë ishin miqtë që rritën lojën dhe vunë në vështirësi Interin, duke krijuar situata të rrezikshme në zonën e tij.
Konte hedh në fushë Darmian dhe Sensin për Perisiç dhe Eriksen. Dhe Darmian arrin të zhbllokojë rezultatin, duke mposhtur Silvestrin dhe duke kaluar në ekstazë stolin zikaltër.
Juventusi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në Firence, ku u gjend në disavantazh në pjesën e parë. Vlahoviç realizoi me penallti dhe bardhezinjtë ia dolën të barazonin që në fillim të pjesës së dytë me Moratën, por vetëm kaq, sepse deri në fund rezultati nuk ndryshoi.
Pas këtij barazimi, Juventusi mban vendin e tretë, me pikë të barabarta me Milanin (66), që ka një ndeshje më pak (luan nesër me Lacion), por rrezikon të zbresë më poshtë. Atalanta mund ta kalojë në mbrëmje, nëse mund Bolonjën, ndërsa Napoli mund ta barazojë, nëse fiton nesër në fushën e Torinos, çka do të thotë se dhe pjesëmarrja në Champions League është komplikuar mjaft.
Seria A, java e 33-të
Benevento-Udineze 2-4
Fiorentina-Juventus 1-1
Inter-Verona 1-0
Kaljari-Roma
Atalanta-Bolonja
Të shtunën
Sasuolo-Sampdoria 1-0
Parma-Krotone 3-4
Xhenoa-Specia 2-0
Të hënën
Torino-Napoli
Lacio-Milan
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje