Nëndetësja që u zhduk të mërkurën në 21 prill në detin e Balit, është gjetur në 850 metra thellësi e ndarë në tre pjesë, nga autoritetet indoneziane. Sipas këtyre të fundit, raportohet se 53 anëtarët e ekuipazhit janë të gjithë të vdekur.
Në orët e mëparshme, një copë silur, një shishe vaji e përdorur për të lubrifikuar teleskopin dhe një shtrat lutjeje, ishin gjetur nga ekipet e shpëtim-kërkimit. Pak objekte, por të mjaftueshme për të konstatuar se nëndetësja ishte fundosur.
Ka qenë mbase një dështim i sistemit elektrik që parandaloi manovrat e ringritjes në sipërfaqe, por ajo që është e sigurt, është se sapo ka nisur të bjerë në thellësinë 300-400 metra që ishte në gjendje të përballonte, presioni i ujit ka mundur ta çajë në disa pjesë.
Shefi i Shtabit të Marinës Indoneziane, Yudo Margono njoftoi se nëndetësja “KRI Nanggala 402” u gjet “e thyer dhe e ndarë në tre pjesë”.
“Nëndetëset janë nën presion, por kur ato shpohen, uji depërton brenda. A mund ta imagjinoni efektin tek njerëzit e goditur nga uji në këtë presion?”.
Nga fjalët e Wisnu Wardhana, një ekspert në Institutin Indonezian të Teknologjisë “Sepuluh Nopember”, mund të kuptohet tragjedia, e cila ka ndodhur brenda pak minutash, kur mjeti është fundosur.
Prandaj, gara kundër kohës së autoriteteve të kërkim-shpëtimit ishte e kotë, të cilat disa orë pas zhdukjes së saj, filluan të patrullonin në zonën e detit, ku u pa për herë të fundit.
Shefi i aviacionit indonezian, Hadi Tjahjanto, shpjegoi se ekipet e kërkimit morën “imazhe” që konfirmojnë praninë e pjesëve të nëndetëses, të tilla si timoni i pasmë, spirancat dhe një pjesë e jashtme e saj.
“Bazuar në prova autentike, ne pretendojmë se ‘KRI Nanggala 402’, u fundos dhe të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë humbur jetën”, – konfirmoi ai më pas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)









Lini një Përgjigje