Pozicioni i FIFA-s dhe në veçanti i presidentit të saj, Xhani Infantino, nuk ishte qartësisht kundër projektit të Super Ligës, siç ka dalë nga deklaratat zyrtare të këtyre ditëve. Sipas të përditshmes franceze “Le Monde”, që u referohet dokumenteve të brendshme të FIFA-s, Infantino ka prej disa muajsh një pozicion ndaj Super Ligës, që ngre shumë pikëpyetje për UEFA-n.
“Paralelisht” me deklaratat zyrtare kundër, ka një dokument pune që ushqen dyshimet e institucionit kryesor europian të futbollit. Janë 10 faqe shënimesh, që “Le Monde” ka analizuar dhe prej tyre dalin qëndrime konfidenciale në lidhje me Super Ligën, të shkruara nga klube të ndryshme europiane. “Një dokument i tillë ka qarkulluar shumë në fillim të vitit në duart e drejtuesve të klubeve”, – shkruan gazeta franceze.

Mes të tjerash, në dokument thuhet se 12 klubet e Super Ligës do të marrin pjesë, duke nisur nga sezoni 2023-2024, në një format të ri të Botërorit të klubeve, një nga kompeticionet e organizuara nga FIFA. Ky Botëror klubesh do të zgjerohet në 32 skuadra dhe do të organizohet çdo vit në janar për tri javë.
Në dokumentin që disponon “Le Monde”, shkruhet se “një listë skuadrash të kualifikuara për në këtë Botëror do të përgatitet bashkë me ‘W01’. Ka një partnership me W01 për pagesa prej 1 miliard eurosh, një shumë që do të lejonte që klubet e Super Ligës të përfitonin jo pak. Infantino nuk përmendet në asnjë moment, por sipas presidentit të Ligës, Javier Tebas, emri i koduar i referohet pikërisht numri 1 të FIFA-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje