Kandidati i Vetëvendosjes në qarkun e Tiranës Boiken Abazi denoncon se fletët e votimit ku qytetari e ka votuar atë në kryeqytet, por edhe dy përfaqësuesit e tjerë të kësaj lëvizje në Gjirokastër dhe Lezhë po nxirren qëllimisht të pavlefshme. Në një intervistë televizive ai sqaroi se fletës ku përbri emrit të tij është vendosur shenja kryq apo plus, qëllimisht “i është vënë një tjetër shenjë edhe te numri i PS apo PD nga komisioneri për ta nxjerrë të pavlefshme”.
“Në 10 Qendra Votimi në Tiranë ku “X”-i është i vendosur te numri 13 (që është Boiken Abazi) del me një “X” të vendosur te numri 12, do të thoja më rrallë te PD. Problemi është i lidhur me problemin e PS” tha Abazi duke shtuar se vetë nuk e ka parë, por e kanë informuar dhe se po mbledh provat për të bërë ankimim.

“Nuk pata mundësi vetë ta shikoja. Kryetarja e komisionit një nga shqetësimet që kishte ishte që të mos e fotografonin. Ne do të ankohemi” tha Abazi. Kreshnik Merxhani kandidat në Gjirokastër ka postuar një video në faqen e tij në Facebook, që sipas tij provon momentin kur komisioneri nxjerr të pavlefshme fletën e votimit, pasi është kapur duke shkruar mbi fletë.
Kreshnik Merxhani në Gjirokastër flet për mbi 1 mijë fletë të pavlefshme. “Mbi 1000 vota të pavlefshme në qarkun Gjirokastër, nuk janë rastësisht. Në video duket qartësisht se si ky mekanizëm 30-të vjeçar minon demokracinë dhe tjetërson vullnetin e votuesve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje