Mesjava sjell javën e 30-të të Superiores me përplasje mjaft intersante. Skuadrat kanë pasur pak kohë t’i përgatisin këto ndeshje, por situata është e njëjtë për të gjithë. Partizani, që kryeson bashkë me Vllazninë me nga 53 pikë, shpreson të shkëputet prej saj, duke fituar në Laç dhe duke pritur një tjetër nder nga Tirana, që mund të ndalë shkodranët.
Trajneri Ilir Daja ka theksuar në konferencë shtypi se është i fokusuar vetëm te ndeshja e Partizanit, pa parë se çfarë bëjnë rivalët. “Laçi është një transfertë e vështirë, një fushë e nxehtë brenda rregullave të futbollit. Duhet të përsërisim ndeshjen e kupës, që e doiminuam. Kështu mund të shkojmë te fitorja, duhet të luajmë në grup në të dyja fazat e lojës. Duhet të jemi të bashkuar në mbrojtje dhe sulm.

Nuk duhet të humbim ekuilibrat në lojë. Shkojmë në Laç për fitore dhe do djersijmë për 3 pikët. Me golat e shënuar jemi ekipi më i mire, ka një shpërndarje të golave në lojtarë të ndryshëm. Na vjen mirë që Zhunior po ecën, edhe pse nuk është në rolin e tij. Po i afrohemi fundit nuk mund të ndryshojmë shumë nga ekipi fitues.
Potenciali që ka grupi duhet të na japë forcë. Në disa ndeshje mund të jemi më cinikë, sepse në këtë moment pikët janë shumë të rëndësishme. Është ndeshje e rëndësishme dhe duhet fituar, por ka edhe shumë javë kampionat. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë, nuk na interesojnë rezultatet e tjera”, – theksoi trajneri I të kuqve.

Daja e mbylli konferencën me një batutë, kur u ngacmua në lidhje me fitoren e Ramës së politikës: “Shpresojmë të fitojë Rama jonë (drejtori i klubit Olsi Rama). Jemi këtu për sportin, jo për politikën. Shpresojmë që me Ramën tonë të fitojmë kampionatin dhe kjo do jetë gjëja kryesore, pasi me sa kam dëgjuar, ai tjetri (kryeministri Edi Rama) i ka punët në rregull”, – u shpreh Daja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje